Ngjela: Ju rrëfej partinë e re
Avokati dhe deputeti Spartak Ngjela, në një intervistë për "Shqip" ka treguar detajet e lëvizjes së re që po krijon së bashku me bashkëpunëtorët e tij, e cila pritet të triumfojë në arenën politike së shpejti. Avokati Ngjela kërkon një politikë dhe qeverisje të profesionalizuar në mënyrë që vendi të arrijë një zhvillim të shpejtë. Deputeti Ngjela, i cili pritet të jetë edhe kryetari i partisë më të re të Kuvendit të Shqipërisë ka zbuluar edhe një nga emrat favorit që pritet të mbajë lëvizja e tij, Partia "ligj dhe drejtësi".
Avokat Ngjela, së shpejti në skenën politike do të shfaqet një parti e re. Çfarë statuti do të ketë lëvizja më e re brenda politikës shqiptare dhe çfarë emërtimi do të ketë ajo për elektoratin. Cilat janë disa nga modalitetet kryesore mbi të cilat është ngritur kjo parti?
Sigurisht që statuti do të ketë risi në funksion të zgjedhjes së lidershipit dhe sidomos të menaxhimit të saj. Ka një raport të ri midis partisë dhe grupit parlamentar; lidershipit dhe shpërndarjes zonale; financimit dhe sidomos në lidhje me lokuset që duhet të formojnë grupet ose lobet që do të krijojnë frymën e partisë. Organizimi lobist i partisë mendoj se do të jetë risi edhe për çështjen e lobizmit në të gjitha aspektet e jetës shoqërore në Shqipëri. Emri i partisë deri tani është: Partia Ligj dhe Drejtësi; por konkurrojnë edhe emra të tjerë.
Partia do të ngrihet mbi principe të qarta dhe kërkon të ringjallë besimin e shqiptarëve se do të dalim nga pika e paralizuar ku ndodhemi si pasojë e injorancës së zgjatur e kohës që po drejton. Duhet të profesionalizohet politika dhe qeverisja... dhe do të kemi zhvillim të shpejtë.
Zoti Ngjela, ligji përcakton se për të krijuar një parti duhen mbledhur një numër i caktuar firmash. A i keni mbledhur firmat dhe a mund të na thoni disa nga emrat VIP që do të jenë në qendër të kësaj lëvizjeje?
Ligji kërkon 500 firma, të cilat nuk ka problem që të mblidhen. Por Partia Ligj dhe Drejtësi, do të konstituohet në një mbledhje konstituente të të gjithë anëtarësisë, e mandej, organi ekzekutiv, do të shkojë të kërkojë legalizimin në gjykatë. Kurse për emrat është më korrekte që të flitet pas konstituimit të saj.
Në lidhje me pragun elektoral, cila është preferenca juaj. Ju jeni përkrahës i sistemit anglo-sankson, ndërkohë që tek ne po theksohet ideja për sistemin zgjedhor proporcional. Jeni pro kësaj ideje për proporcionalin?
Duhet të jesh i përgatitur për çdo sistem elektoral. Ne jemi ende në një politikë që e sheh veprimtarinë politike me syze puniste. Nuk duhet marrë seriozisht. Megjithatë, partia e re do të dijë të përshtatet në çdo lloj sistemi. Unë personalisht parapëlqej principet mazhoritare, prandaj edhe pragun e parapëlqej të lartë. Ka ardhur koha që të kemi një prag 5 për qind. Megjithatë le të vijojmë...