Guga: Viktima nuk duhet të heshtë
Në leksionet e shkencave sociale, dhuna konsiderohet si një zgjidhje e problemeve, pasojë e një martese të palumtur, apo rezultat i bashkëjetesës me individ të paformuar. Stimulantët kryesorë të bashkëjetesës me dhunën janë papunësia, kushtet ekonomiko-sociale, pasurimi i menjëhershëm, arsimi i cunguar i individit apo problemeve të paqëndrueshmërisë së tij emocionale. Por jo vetëm kaq, në një intervistë për gazetën "Shqip", specialistja e punëve sociale, Belinda Guga, tregon se edhe strukturat e rendit, apo mundësia që shteti i jep viktimës për të denoncuar dhunën, nuk është shumë "bashkëpunuese". Sipas saj, problem shumë i rëndësishëm mbeten edhe pasojat që lë dhuna te fëmijët, të cilët janë prezentë gjatë kohës kur njëri prind dhunon tjetrin dhe në të njëjtën kohë te gruaja, e cila krijon mendimin se të gjithë burrat, mund të jenë dhunues.
Si mund ta përkufizoni dhunën si një fenomen shumë i hasur kohët e fundit? Cilët janë disa nga stimulantët e saj?
Dhuna është një fenomen shumë i vjetër që ka ekzistuar dhe vazhdon edhe sot në shoqëritë më moderne. Ajo mund të jetë bashkëjetuese te çdo familje pa dallime kulturore, ekonomike. Me dhunë s‘duhet të kufizohemi vetëm tek ajo fizike, por edhe tek ajo ekonomike, psikologjike, emocionale dhe materiale. Dhunë mund të konsiderojmë çdo akt dëmtues nga një person madhor kundrejt një personi tjetër, pa dëshirën e këtij të fundit. Rasti më ekstrem i dhunës është vrasja siç po dëgjojmë më shpesh kohët e fundit. Por në të njëjtën kohë, dhuna mendohet të jetë një nga zgjidhjet më të shpejta. Dhuna është faktori i mbingarkesës emocionale, paqëndrueshmërisë psikike, mungesës së mundësive ekonomike, pasurimit të menjëhershëm. Faktor nxitës të dhunës janë kushtet social-ekonomike, niveli arsimor, formimi i individit, papunësia, përdorimi i drogave, abuzimi me alkoolin
Cilat janë llojet e dhunës më të përdorshme, ose cilat janë ato që mund të identifikohen më thjesht?
Ndër dhunimet më të hasura dhe të evidentuara është ajo fizike, sepse kjo formë është më e lehtë për t‘u identifikuar. Por duhet të theksojmë këtu se personi që pëson këtë lloj keqtrajtimi kalon dhe disa faza të dhunës emocionale dhe psikologjike. Është thelbësore të kuptohet rëndësia e trajtimit të fenomenit. Këtu nënkuptojmë jo të trajtojmë vetëm "viktimën", por edhe abuzuesin, madje edhe personat që asistojnë në dhunë edhe pse nuk përfshihen në të. Një shembull është trajtimi i fëmijëve në rastet kur ata marrin pjesë gjatë skenave të keqtrajtimit mes tyre.
Përse nuk denoncohet dhuna, cilat janë arsyet që i bëjnë gratë të kenë frikë të kërkojnë ndihmë? Është shumë e rëndësishme që të kuptohet se duhet denoncuar dhuna. Pse nuk ndodh ky denoncim. Ka disa arsye: nuk ndodh se viktima beson se dhunuesi do ndryshojë, viktima nuk ka mundësi ekonomike të përballojë jetën e vetme, ka frikën e paragjykimit, nuk ka besim te sistemi i drejtësisë dhe ai policor, policia që në hapin e parë i dërgon apo i këshillon viktimës të kthehet te dhunuesi pa dhënë alternativa të tjera. Viktima nuk mbështetet nga familja. Viktima krijon stereotip me dhunuesin, duke menduar se çdo mashkull do të jetë i tillë dhe do ta keqtrajtojë.