E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja VMRO-DPMNE-BDI shmang njohjen e Kosovës

Njohja e Kosovës si shtet fqinj i pavarur nuk është përfshirë në marrëveshjen për bashkëqeverisje midis VMRO-DPMNE dhe BDI.

Në dokumentin e marrëveshjes të publikuar nga partia maqedonase VMRO-DPMNE nuk është përfshirë çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës, njofton agjencia e lajmeve INA.

Zyrtari i kësaj partie, Ilija Dimovski nuk ka komentuar çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Qeveria e re. Ndërkohë, BDI akoma nuk ka komentuar versionin e saj të marrëveshjes me VMRO-DPMNE.

Partia e drejtuar nga Ali Ahmeti gjatë fushatë si një nga prioritetet e qeverisjes ka përmendur njohjen e shpejt të pavarësisë së Kosovës nga Maqedonia.

Njohja e Kosovës po vazhdon të debatohet në koluaret politike në Shkup.

Shefi i diplomacisë i Maqedonisë, Antonio Milloshoski deklaroi se përcaktimi i kufirit me Kosovën nuk është çështje e lidhur me vendimin për njohjen e këtij vendi fqinj.

“Shënimi i kufirit nuk është i lidhur me vendimin për njohjen e Kosovës. Ne presim që procesi i shënimit të kufirit të vazhdojë me dinamikë të përshpejtuar”, deklaroi sot ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Milloshoski.

Sipas tij, vendimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës do të shqyrtohet në mënyrë plotësuese dhe se Qeveria e Maqedonisë do të vlerësojë se ka ardhur koha për këtë çështje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›