E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Fshatari ynë, 3 herë më i varfër se maqedonasi

Tiranë- Ditë të mjerueshme dhe një jetë gati të pamundur për tu përballuar. Kështu e ka cilësuar nënsekretari për programin politik në PS, Ervin Bushati, jetën e fshatarit shqiptar.

Gjatë një konference për shtyp, duke vënë në qendër të diskutimit jetën e fshatarëve ai kujtoi mungesën totale të vëmendjes së qeverisë ndaj kësaj shtrese të shoqërisë.

"Programi i ri i Partisë Socialiste ka në qendër të tij bujqësinë dhe pëmirësimin e jetës në fshatin shqiptar”- tha ai, duke nënvizuar kujdesin e kësaj force politike për jetën në fshat.

Ai theksoi se mungesa totale e politikave të zhvillimit dhe orientimit, ka lënë në udhëkryq njerëzit që punojnë dhe jetojnë në zonat rurale të vendit.

“Shqipëria ka sot produktivitetin bujqësor më të ulët në Europë”, vijoi ai ndërsa shtoi se "një studim i fundit i BB-së mbi bujqësinë në Shqipëri tregon se fshatari shqiptar është 3 herë më i varfër se fqinji i tij në Maqedoni"- theksoi Bushati.

Mungesa e metodave dhe infrastrukturës moderne, sipas tij, kanë bërë që të hasen probleme të rënda në burimet e prodhimit, ndërkohë që nuk po ofrohet asnjë strategji për ta nxjerrë nga gjendja e pashpresë në të cilën ndodhet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›