Vapa, shqiptarët harxhojnë më shumë energji
Tiranë- Temperaturat e larta që kanë përfshirë gjithë vendin kanë rritur konsumin e energjisë elektrike më shumë se çdo vit tjetër.
Nevojë e ngutshme për t’u freskuar, në shtëpi, vendet e punës apo në qendra të ndryshme shërbimesh është e mjaftueshme si arsye për të shënuar rritje të kilovatëve të harxhuar.
Burime zyrtare të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes kanë bërë me dije për ATSH, se ky konsum ka arritur në 16,3 milionë këh në ditë.
Sipas llogaritjeve të bëra është arritur në përfundimin se rritja është gati 30% më shumë se ajo e matur vitin e kaluar në të njëjtën kohë.
Specialistët kanë dhënë pas këtij konstatimi edhe shpjegimet e tyre. Rritja e konsumit të energjisë elektrike lidhet me numrin në rritje të ftohësave (kondicionerëve) në banesa dhe sidomos në sektorin e shërbimeve.
Sipas të dhënave zyrtare, kjo vihet re edhe në rritjen e importit të pajisjeve elektroshtëpiake në 4-mujorin e parë të 2008, me 2.9% në total në grupin "makineri, pajisje, etj".