Barça, "katër fantastikët" për triumfin përballë Sëlltik
Sëlltik mund të marrë zemër nga paraqitja e dobët e Barcelonës në fushën e Atletikos së Madridit (skuadra e dytë e kryeqytetit spanjoll fitoi 4-2) dhe të pretendojë të kualifikohet për në turin e tretë të Ligës së Kampioneve në "Kamp Nou". Pavarësisht rezultatit 3-2 të arritur dy javë më parë në "Sëlltik Park", skuadra e Rajkard, e cila ka treguar mungesë idesh në mesin e fushës dhe në sulm, është e shqetësuar nga një tjetër paraqitje e keqe në aktivitetin më të rëndësishëm për klube. "Duhet të mësojmë t‘i mbyllim ndeshje si këto, mbi të gjitha kur jemi duke kontrolluar lojën", tha mesfushori Çavi pas humbjes me Atletikon. "Gjithmonë është e njëjta histori: çdo gabim që bën e paguan shumë shtrenjtë, dhe ne gabuam shumë. Atletiko Madrid besonte te forcat e saj dhe luajtën një futboll shumë agresiv. Në rastin e vetëm që patën, ata na shënuan dy gola shumë të shpejtë dhe na dëmtuan". Trajneri Rajkard kishte vendosur që në atë sfidë të mbante në stol Lionel Mesin dhe Jaja Ture, për t‘i pasur në dispozicion të freskët për ndeshjen e sotme në Champions. Dy lojtarët mendohet se do të luajnë si titullarë kundër Sëlltik, edhe sepse katalanët nuk mund t‘i lejojnë vetes një tjetër shpërfytyrim si ai në "Kalderon". "Ajo humbje nuk do të ndikojë në ndeshjen me Sëlltikun", tha drejtuesi i stolit katalan. "Jemi të vetëdijshëm se nuk luajtëm mirë dhe rezultati final ishte shumë i keq, megjithatë kemi punuar shumë për të përgatitur sa më mirë sfidën në Ligën e Kampioneve". Për këtë sfidë tekniku holandez do të mbështetet te "katër fantastikët": pas shumë javëve, Ronaldinjo, Mesi, Eto‘o dhe Henri do të luajnë përkrah njëri-tjetrit. Pavarësisht rezultateve të dobëta, Çiki Begirishtajn ka shprehur besim të plotë te trajneri Rajkard. Drejtori sportiv i "blaugranave" nuk ka preferuar të flasë rreth Hoze Murinjos, që është cilësuar si pasardhësi i trajnerit aktual. "Na pëlqen imazhi që ka klubi ynë në botë. Vazhdojmë të kemi besim te Rajkard. Sjellja e tij na pëlqen", tha Begirishtajn. "Nga trajnerët tanë kemi kërkuar gjithmonë përgjegjësi në punën e tyre dhe Rajkard është i tillë. Rezultatet e skuadrës kanë ardhur si rrjedhojë e atyre që ndodhën në fillim të sezonit, ku ka pasur disa konferenca shtypi shumë të tensionuara. Hoze Murinjo? Nuk mendoj se është një temë për të cilën ia vlen të flasim. Punojmë vetëm me ata që janë në klub".