E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapitali i Surroit

17 shkurti i 2008 ishte dita më e gëzueshme e 47-vjeçarit Veton Surroi si aktivist shoqëror, si botues, si shtetas kosovar, por me siguri më e trishtueshmja për të si politikan. Ashtu siç thotë në një shkrim të mrekullueshëm, ai atë ditë, ishte në rrugën e hareshme të atyre që gëzonin, por ama jo në Parlament, ku mund të hidhte firmën në deklaratën e pavarësisë për të cilën kishte punuar shumë.

Po pse kjo ndërthurje ndjesish, ky fatalitet, për njërën nga fytyrat më perëndimore të politikës kosovare në 17 vitet e fundit? Arsyeja kryesore është pse ai nuk u kthye në Parlament meqenëse zgjedhjet e parapavarësisë nuk i dhanë të drejtën e pjesëmarrjes në Kuvendin e parë të shtetit kosovar. Një prag zgjedhor i imponuar me insistimin e tij vetëshkatërrues nxori viktimën më të shquar, pikërisht subjektin politik që ai krijoi, Orën. Zërat për manipulime zgjedhore nuk u shumëfishuan prej Surroit, i cili nuk bëri ankesë askund, ndoshta me besimin se të huajt mund ta ndihmonin deri në moment të fundit, ndoshta pse nuk donte të prishte vigjiljen e festës.

Po cilat ishin arsyet e humbjes dhe sa prej tyre mund të korrigjohen? Surroi kishte momente pacifiste në aktivitetin e vet politik që mbase nuk janë gëlltitur prej votuesve; nuk u strukturua mirë në territor, domethënë nuk ruajti as votën e vet; nuk arriti të bëhej frymëzues te të rinjtë, madje as në zonat qytetëse ku kishte serbatorin më të madh të votave në votimet e tjera. Por ndoshta një nga arsyet kryesore ishte pse Surroi doli nga kostumi i tij pajtues dhe cenoi një kod të pashkruar të sjelljes së mirë politike kosovare, ndërsa sulmoi dy rivalët e tij të drejtpërdrejtë- Bexhet Pacollin dhe Nexhat Dacin. Që të dy fituan, madje Pacolli u afirmua si partia e dytë në Prishtinë; partia e vet pati ndjekjen më të madhe mes të rinjve dhe ai pati përqindjen më të lartë të besimit si një lider që mund të sillte ndryshimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›