Ministrat francezë, në kërkim të dypunësimit
Gara e zgjedhjeve vendore të marsit as që ka filluar, e megjithatë, thuajse dy të tretat e 33 pjesëtarëve që përbëjnë kabinetin e Presidentit Nikolas Sarkozi e kanë transformuar veten në politikanë "part time" (me kohë jo të plotë), duke deklaruar se meritojnë të jenë kryetarët e bashkive apo zëvendëskryetarët e Bashkive të Francës. Disa syresh, si ministri i Arsimit, janë kryetarë bashkie dhe po kërkojnë rizgjedhjen. Të tjerë, si ministri i buxhetit, janë ish-kryetarë bashkie dhe kërkojnë të fitojnë përsëri postin e dikurshëm.
"Për një ministër është rruga më e mirë për të ndenjur në kontakt me terrenin", thotë Zhavie Bertrand, ministri i Punës, i cili synon të bëhet zëvendëskryetar Bashkie i Sen Kuentinit, një qytet në veri të Francës. "Është shumë më mirë se të dëgjosh rezultatet e sondazheve".
Në praktikën franceze të njohur si "akumulimi i mandateve", disa qeveritarëve francezë u lejohet të mbajnë më shumë se një detyrë të zgjedhur përmes votave. Fenomeni ministër-kryetar bashkie në përgjithësi qe eliminuar si i papërshtatshëm gjatë epokës së Presidentit Zhak Shirak (i cili vetë kishte shërbyer si Kryeministër dhe kryetar Bashkie i Parisit). Por është ringjallur me krenari nga Sarkozi, si një mënyrë për të zgjeruar ndikimin e qeverisë së tij.
Është njëherësh një rrugë e mirë për ta përqendruar pushtetin në majë. "Duhet të kuptoni se Franca mbetet një lloj monarkie e zgjedhur", thotë Andre Santini, një ministër që po kërkon të rizgjidhet në postin e kryetarit të bashkisë të një zone periferike në Paris, ku ka shërbyer për 28 vjet si kryetar. Kritikët e quajnë këtë praktikë aspak demokratike, një rrugë jashtë mode për të grumbulluar pushtet që nxjerr në lojë konfliktet e interesit. Ndërkohë që për zyrat e kryetarëve të bashkive në gjithë vendin do të nxjerrë në skenë edhe problemin e mungesës së zyrtarëve nëpër zyra, duke qenë se detyra e ministrit supozohet një detyrë me kohë të plotë.
"E parë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të ishte njësoj sikur sekretari amerikan i thesarit të mbulonte detyrën e kryetarit apo zëvendëskryetarit të Bashkisë së Bostonit", thotë Dominik Ruso, i specializuar në ligjin kushtetues.
Teksa bënte publike strategjinë elektorale të qeverisë, gjatë fundjavës së shkuar, Kryeministri Fransua Filon e vlerësoi fenomenin si politizim të zgjedhjeve lokale. Betejat lokale do të marrin karakter plebishitar në qeverinë e Sarkozisë, duke e mbajtur fokusin politik te partia qeverisëse, e cila është drejtuar për shumë kohë nga vetë Presidenti. Ai shtoi se Sarkozi do të përfshihet aktivisht në fushatë.
"Nëse nuk politizojmë zgjedhjet vendore dhe rezultatet të jenë të këqija, do të dënohemi", tha Filon. Ai shtoi se qëllimi është ndihma e partisë Bashkimi për Lëvizjen Popullore (partia qeverisëse "të shtijë në dorë" qytete e zona të reja.
Në konferencën për shtyp të së martës, Sarkozi deklaroi, "Do të përfshihem aktivisht, pasi edhe vetë koncepti i zgjedhjeve jo të politizuara është absurd". Po planifikon të hidhet në fushata në Nicë për llogari të Kristian Estrozit, ministrit për territoret jashtë Francës, i cili kërkon të fitojë postin e kryetarit të bashkisë në atë zonë.
Për momentin, kundërshtitë mbi këtë strategji janë shfaqur më së forti në Paris, ku secila nga 20 ndarjet administrative ka këshillin e vet bashkiak, si edhe kryetarët dhe zëvendësit e zgjedhur. Në këto zona, qeveria e Sarkozisë ka vendosur të kandidojë me një listë të gjatë ministrash me profil të lartë, përfshi ministrin e Kulturës, Kristinë Albanel, si edhe atë të Financave, Kristinë Lagard. "Është një vizion shumë arkaik i pushtetit", thotë Dominik Bertinoti, kryetari socialist i bashkisë së zonës numër katër, njëherësh profesor universiteti me kohë jo të plotë. "Votuesit kërkojnë diçka që të jetë më e mirë se ky parashutim politik". Më mbresëlënësi është vendimi i qeverisë për të promovuar ministren e Drejtësisë, Rashida Dati, në Zonën e Shtatë, një pjesë shumë e pasur e qytetit. Dati është vënë në qendër kritikash të ashpra për shkak të planit për të ndryshuar strukturën gjyqësore të vendit. Për shumë rezidentë, ajo është e papërshtatshme për një zonë kaq shik. Gjatë një feste të organizuar për Vitin e Ri, rezidentët më të spikatur të zonës shfrytëzuan rastin për t‘i treguar kryetarit aktual të bashkisë se mund të mbështetej te votat e tyre. "Kryetari ynë i bashkisë ka qenë në këtë detyrë për dekada, na njeh të gjithëve, viziton dyqanxhinjtë e vegjël, madje edhe këndonte vetë në meshat e kishës", tha Patris Bardin, një biznesmen që banon në këtë zonë që prej 40 vjetësh. "Këtu jemi si në një fshat, ku familjet qëndrojnë përjetë dhe ua lanë trashëgim apartamentet fëmijëve. Kjo nuk është zonë e përshtatshme për njerëz të pasuruar kohët e fundit. Rashida nuk ka qenë ndonjëherë këtu".
Tradita politike franceze dikton se zyrtarët e caktuar në poste qeveritare fitojnë legjitimitet vetëm kur kanë pas shpine një post të zgjedhur. Ish-kryeministri Dominik de Vilëpe, për shembull, u la mënjanë në garën presidenciale, pasi kurrë nuk qe zgjedhur falë votave në një detyrë.
Po kaq i rëndësishëm është edhe garantimi i një dege ku këta politikanë të mund të kapen në rast se largohen nga qeveria. Kthimi në sektorin privat pa një post qeveritar konsiderohet poshtërues.
"E bëjnë për të siguruar një çiflig të vetin", tha Pier Sadran, politolog që ka shkruar një libër mbi këtë çështje. "U garanton një vend pune në rast se humbasin postin ministror. Nga këndvështrimi moral mund të duket diçka skandaloze. Por në rast se votuesit e perceptojnë si të tillë, nuk ua japin votave".
Anëtarët e kabinetit duket se nuk besojnë se kjo praktikë fsheh në vete konflikte interesi, pasi, siç shprehen, në të shumtën e rasteve, kryetarët e bashkive nuk marrin përsipër vendime të rëndësishme financiare. I pyetur lidhur me konfliktin e interesit në rast se fiton postin e kryetarit të bashkisë, Bertrand, ministri i Punës, duket mjaft në udhëkryq. "Nuk e kuptoj atë që prisni t‘ju them unë - që ministri i Sporteve do të ndërtojë në qytetin e vet një stadium me paratë e qeverisë?", pyeti. "Kjo nuk ka kuptim. Në Francë nuk kemi rregulla financiare".
Duhet thënë se paratë shtesë që anëtarët e kabinetit fitojnë nga detyrat nëpër bashki zor se janë aq të rëndësishme sa prestigji që u garanton diçka e tillë. Përveç kryetarëve të bashkive në qytetet e mëdha, të tjerët konsiderohen si poste jo me angazhim të plotë kohor dhe me paga relativisht të ulëta. Ministrave dhe anëtarëve të tjerë të kabinetit u lejohet të përfitojnë nga paga e postit të zgjedhur, por deri në një limit të caktuar me ligj. Një ministër me kohë të plotë lejohet të fitojë deri në 30 mijë dollarë në muaj në detyra e qeveritarëve, bën me dije zyra e Kryeministrit.
Franca i lejon politikanët e saj të mbulojnë disa poste njëherësh. Më shumë se çdo vend tjetër evropian. Rreth 85 për qind e ligjbërësve në senat dhe në Asamblenë Kombëtare mbajnë poste të dyta të zgjedhura. Në Itali, Gjermani dhe në Britaninë e madhe kjo shifër nuk i kalon 20 për qind.
E megjithatë ka edhe kufizime. Një anëtari të kabinetit qeveritar, për shembull, nuk i lejohet të shërbejë si deputet i senatit francez apo në Asamblenë Kombëtare. Një deputet parlamentar, gjithashtu, lejohet të shërbejë si kryetar bashkie, por jo të shërbejë në Parlamentin Evropian. Por në qeverinë e Presidentit Sarkozi, fitoret elektorale identifikohen aq shumë me suksesin sa humbja e një zgjedhjeje përkthehet në humbjen e postit në kabinet.
Në një rregull politik të Francës, ministrat qeveritarë dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë lejohen të konkurrojnë për të fituar një vend në Parlament, por u duhet të heqin dorë nga postet në kabinet në rast se fitojnë. Pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit të shkuar, anëtarët e kabinetit që humbën garën për në Parlament u përballën me një humbje të dyfishtë, duke qenë se Filon i detyroi të hiqnin dorë edhe nga postet ekzekutive.
Alen Zhupe, për shembull, ministri i një megaministrie për Ambientin e Energjinë, u detyra të hiqte dorë nga ky post pas humbjes në zgjedhjet parlamentare. "Kur mundesh", shpjegoi Filon në atë kohë, "do të thotë se nuk gëzon mbështetjen e njerëzve".