E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Ky është një qëndrim stalinist

Kreu i opozitës, Edi Rama, ka reaguar gjatë një takimi me banorë të Njësisë Bashkiake nr.9 në kryeqytet, lidhur me debatin e krijuar për mozaikun "Shqipëria", vendosur në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar. Duke iu përgjigjur interesimit të banorëve të kësaj zone, ku ndodhet muzeu, në duhet apo jo të zëvendësohet mozaiku i quajtur nga drejtori i Muzeut Kombëtar si "ideologjik", Rama u shpreh se "debati për mozaikun e Muzeut Kombëtar, i cili është një problem në fakt kombëtar, por që i takon edhe njësisë suaj bashkiake, është shprehje e një fakti shumë të thjeshtë: Qeveritarët e sotëm, qoftë në nivelin e Kryeministrit, qoftë në nivelin e ministrave, apo qoftë në nivelin e drejtorëve të institucioneve, nuk dinë të punojnë dhe (besoj e keni dëgjuar shprehjen) që kur ‘nuk kanë ç‘bëjnë, luajnë derën‘. Edhe drejtori i muzeut, si një shprehje tipike e kësaj politike të vjetër të paaftësisë dhe të dembelizmit mendor, thotë ‘ta marrim mozaikun, ta fusim brenda dhe të bëjmë një mozaik tjetër me përmbajtjen e muzeut‘". Sipas tij, "asnjë kuadër i kulturës staliniste nuk do të arrinte dot të ishte kaq stalinist në mënyrën e të shikuarit të historisë, të marrëdhënies së një godine me një qytet, të raportit të artit me historinë, të raportit të një qeverie me historinë dhe mbi të gjitha të raportit që kanë këta zotërinj që qeverisin sot me kulturën, jo thjesht si kulturë shqiptare, por me kulturën si nocion". "Ky është një qëndrim prej një dembeli mendor dhe nuk ka të bëjë asgjëkund me atë që ka nevojë ai muze, i cili duhet reformuar tërësisht, sepse është një muze që nuk ka asnjë kopje të tij, në asnjë vend të botës së qytetëruar, një krijesë staliniste, e cila nuk është më pak staliniste edhe pasi ka hequr të gjitha simbolet e dukshme të stalinizmit, por që e ka stalinizmin në mendësinë e drejtimit dhe mendësinë e administrimit të atyre hapësirave", është shprehur Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›