Shtanga proteston për shpërblimet e "padhëna"
Shteti shqiptar nuk e cilëson Erkand Qerimajn si kampion bote në stilin e shtytjes. Të paktën ky është përfundimi që del nga shpërndarja e shpërblimeve për sukseset e sportit shqiptar në vitin 2007. Shtangisti e fitoi këtë medalje në aktivitetin e zhvilluar gjatë vitit në kaluar në Çeki, ku mori edhe medaljen e argjendtë në dygarësh. Por duket se shteti shqiptar njeh vetëm këtë sukses të dytë dhe jo atë më të rëndësishmin, që ka ngjitur flamurin shqiptar në majën e podiumit të fituesve. Trajneri i Qerimajt, Genc Barkiçi, e ka quajtur këtë një gabim të pafalshëm. "Erkand Qerimaj u ngit në pod dhe mori medalje ari në shtytje, ndërkohë që u ngjit sërish në pod për të marrë një tjetër medalje, këtë herë argjendi në dygarësh. Por ai është shpërblyer vetëm si nënkampion bote për të rinj. Ne mendojmë se është bërë një gabim i rëndë, pasi është gjykuar se medalja në dygarësh përfaqëson të vetmin vlerësim në peshëngritje", tha ai.