Sistemi i ri emigrator, mënyrat si fitohen pikët
MB do të zbatojë ndryshime rrënjësore në sistemin e saj emigrator, për shtetas nga vende jashtë BE-së si Shqipëria. Kështu për shqiptarët që duan të punojnë, studiojnë, apo të formohen profesionalisht në këtë vend, ka një seri rregullash, që duhen plotësuar, por edhe pikësh që duhen mbledhur për t‘u klasifikuar. Sistemi është ndarë në pesë "kolona, apo klasa", që përfshijnë kategori të ndryshme emigratore, si atë tejet të kualifikuar, lejet e punës, studentë të punësuar gjatë pushimeve, biznesin, ose investimin. Specialisti i Emigracionit në Ministrinë e Punës, Durim Hatibi, sqaron në vija të përgjithshme sistemin e ri të pikëzimit, si dhe mënyrën se si jepen pikët. Mësohet se ky sistem pikëzimi pritet të thjeshtojë legjislacionin aktual të Mbretërisë së Bashkuar, pasi ka një bollëk skemash emigratore. Hatibi thekson se sistemi i ri i ndarë në "Kolona, apo Klasa" do ta bëjë strukturën dhe kërkesat për të emigruar shumë më të thjeshtë. Sipërmarrësit e biznesit, investitorët dhe ata që kualifikohen në skemën aktuale të të diplomuarve ndërkombëtarë do të përfshihen në "Klasën 1". Punëtorët e kualifikuar me një ofertë pune në atë 2, që do të zëvendësojë skemën aktuale të lejes së punës në MB. Ky sistem pretendon të ketë një strukturë shumë më të thjeshtë, por sipas Hatibit, duhen sqaruar disa aspekte të stërholla të tij.
Çdo Klasë do të ketë kërkesa për numrin e pikëve, që kandidatët emigrantë duhet t‘i plotësojnë domosdoshmërisht, që të pranohen në MB. Sipas dokumentacionit të lëshuar nga "Home Office", pikët për Klasën 1 dhe 2 ndahen në seksione të kritereve të quajtura "atribute" dhe "kontroll". Dhënia e pikëve për Klasën 1 është shumë e ngjashme me kriteret, sipas të cilave emigrantët grumbullojnë pikët për t‘u kualifikuar në një nga programet aktuale. Aty vlerësohet mosha, kualifikimet, të ardhurat e realizuara dhe ato që priten në MB, duke radhitur edhe përvojat e punësimit, apo studimit të mëparshëm në MB. Për t‘u përfshirë në Klasën 2, emigranti duhet të grumbullojë, të paktën 75 pikë. Disa prej atributeve janë absolutisht të domosdoshme për t‘u plotësuar nga kandidati emigrant, të tjerë do të pranohen si tregues pozitivë, apo mbështetës. Kandidati nuk do të refuzohet, nëse nuk ka mbledhur pikë për një atribut jo të kërkuar, por pikët e mbledhura për këtë do t‘i japin atij përparësi në vlerësimin përfundimtar. Një atribut i kërkuar në Klasën 2 për Emigrantët Tejet të Kualifikuar në Tërësi do të jetë ai i Kualifikimeve. Nëse, nuk zotëron, të paktën gradën "Bachelor‘s" do të jetë e pamundur për kërkuesin të mbledhë pikë mjaftueshëm për të kaluar pragun e 75 pikëve. Sidoqoftë, sipas rregullave aktuale emigratore, dikush me gradën "Bachelor‘s", që realizoi, të paktën 40 mijë paunde britanikë në vitin pararendës të kohës së paraqitjes së kërkesës, do t‘i plotësonte 75 pikët, pavarësisht moshës dhe përvojës së mëparshme në MB. Kërkuesit, po kështu i duhet të plotësojë numrin e pikëve të kërkuara në seksionin e faktorëve të kontrollit të testit të pikëzimit, çka i tregon autoriteteve emigratore të MB-së se sa gjasa ka që emigranti, të përmbushë kushtet e vendosura për lëshimin e vizës, si punësimi sipas nivelit të aftësive, në përputhje me Klasën 1. Për Klasat 3-5, faktorët e kontrollit do të jenë kërkesat e vetme, që duhen plotësuar. Faktorët e kontrollit për Klasën 1 përfshijnë kërkesat për zotërimin e gjuhës angleze dhe shumën e parave, e cila duhet për financimin e emigrantëve, për qëndrimin fillestar në MB, si dhe përballimi i jetesës së personave në ngarkim. Ashtu siç janë planet aktuale, nënkategoria e investitorëve, si pjesë e Klasës 1 nuk ka nevojë të provojë nivelin e zotërimit të gjuhës angleze dhe të aftësisë për të siguruar jetesën në MB. Pritet që investitorët të kenë para të mjaftueshme për të mbajtur veten dhe çdo person në ngarkim. Të diplomuarit në institucionet arsimore të MB-së nuk kanë detyrimin e njohjes së kësaj gjuhe, sepse studimet e tyre në MB nënkuptojnë njohuri të pranueshme të saj. Hollësirat mbi mbledhjen e pikëve, sipas Klasave 2 dhe 5 janë të pakta. Meqë faktorë kontrolli quhen vetëm kriteret për pranimin e një kërkese të emigrantit, pritet që të jenë në fuqi sponsorizimi (garantimi) nga një punëdhënës, apo universitet, siç pritet që aftësia për të mbajtur veten do të luajë një rol të rëndësishëm në shumicën, në mos në të gjitha Klasat.