QSUT, "skaner" të gjitha sëmundjeve
Nga janari deri në dhjetor të vitit 2007, brenda mureve të spitalit kanë humbur jetën plot 658 pacientë. Ky numër është dhënë në evidencat e regjistrave ku shënohen pacientët e shtruar në spital. Në këtë regjistër shënohen të gjithë ata të sëmurë që drejtohen për trajtim, apo ndihmë mjekësore, shënohen ata që përmirësojnë gjendjen e tyre, ata që e përkeqësojnë, ata që dalin me të njëjtën gjendje dhe ata pacientë që humbasin jetën. Sipas evidencave të vitit 2007, plot 658 pacientë kanë humbur jetën. Nuk bëhet publike se cilat kanë qenë sëmundjet kryesore nga të cilat kanë humbur jetën pacientët.
Një llogaritje e thjeshtë matematikore i numrit të vdekjeve brenda vitit, tregon se çdo ditë në spitalin më të madh të vendit vdesin 2 pacientë. Muaji janar, mars, prill, korrik, gusht shënojnë edhe muajt ku kanë ndodhur më shumë vdekje. Për secilin muaj kemi mesatarisht nga 59 deri në 68 vdekje. "Numri i operacioneve këtë vit ka ardhur drejt rritjes, po ashtu edhe numri i pacientëve, që vijnë nga rrethet, nga Kosova dhe Maqedonia ka pasur tendencë në rritje.
Operacionet
Më shumë se 17 800 operacione janë kryer në spitalin më të madh të vendit, ka pasur më shumë se 57 mijë shtrime. Sëmundjet më të shpeshta nga të cilat janë ekzaminuar të sëmurët kanë qenë ato të sistemit të qarkullimit të gjakut, probleme të aparatit tretës. Një numër i lartë pacientësh janë trajtuar nga shqetësimet e aparatit të frymëmarrjes, si dhe një pjesë e mirë me sëmundje tumorale. Numër i lartë pacientësh me infeksione apo me shqetësime nervore e mendore kanë vazhduar të kryesojnë listën e diagnozave, për të cilat trajtohen më shpesh në spital qytetarët shqiptarë. Janë rreth 20 lloje operacionesh më të shpeshta. Vendosje lentesh, heqje masash tumorale, heqje bajamesh apo ndërhyrje të tjera kirurgjikale të ngjashme me to janë bërë plot 9930 vitin e kaluar. Laboratori më i madh ka regjistruar më shumë se 162 mijë analiza gjatë 12 muajve. Laboratori kimik-biokimik ka kryer numrin më të madh të ekzaminimeve.
Përfundime
"Vërehet një rritje e shtrimeve me tumore që zënë nga 19.62 për qind (2006) në 23.89 për qind (2007) të numrit të përgjithshëm të shtrimeve", ky ka qenë një nga përfundimet e analizës së spitalit QSUT për vitin e kaluar. Një tjetër përfundim nga kjo analizë ka qenë edhe për sëmundjet e aparatit të qarkullimit. "Nuk ka rritje të shtrimeve me sëmundje të aparatit të qarkullimit, megjithatë ka rritje të numrit të vdekjeve nga 38.28 për qind (2006) në 49.4 për qind (2007) të totalit të vdekjeve nga ky grup diagnozash".
Gjatë vitit të kaluar është vërejtur në pjesën e dytë të vitit, një rikthim i fenomenit të ardhjeve të pacienteve nga rrethet, Kosova e Maqedonia, pavarësisht urdhrit të dhënë 2 vjet më parë për kryerjen e operacioneve në spitalet e rretheve.
"Numri total i operacione për vitin 2007 ka një tendencë të lehtë në rritje", thuhet në analizë. Ndërsa është theksuar se koston më të lartë e kanë pacientët e pavijonit të onkologjisë, hematologjisë, kardiokirurgjisë, pediatrisë së specialistëve. Koston më të ulët për trajtimin në spital vazhdojnë ta kenë shërbime si dermatologjia, reumatologjia apo të tjera si këto që kanë shtrime dhe trajtime për rastet e vështira.