E Diel, 1 Nëntor 2026

I bllokohet pasaporta shtetasit belg

Gjykata e Tiranës ka dhënë dje një masë sigurie të veçantë për një shtetas të huaj, i cili ishte akuzuar për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit. Shtetasi belg, Marsel Bisiauc, është arrestuar tri ditë më parë në aeroportin "Nënë Tereza" në kryeqytet, ndërsa ishte duke tentuar të largohej së bashku me një vajzë shqiptare, e cila e kishte pasaportën të falsifikuar. Fillimisht ai është akuzuar për trafik të paligjshëm, por më pas akuza ka ndryshuar në dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit. Sipas akuzës, belgu 36-vjeçar kishte falsifikuar pasaportën e bashkëshortes së tij, duke ia përshtatur atë vajzës nga Shkodra, të cilën tentoi ta hipte në avion për ta çuar në vendin e tij. Burimet zyrtare të policisë thanë pas arrestimit se e gjithë marrëveshja ishte bërë për një shumë të majme parash, ndërsa në momentin e ndalimit vajza 26-vjeçare ishte e shoqëruar edhe nga vëllai i saj. Dje gjykata ka marrë në shqyrtim masën e sigurisë Marsel Bisiauc dhe pasi ka dëgjuar argumentet e prokurorit të çështjes si dhe ato të palës mbrojtëse ka vendosur që të marrë si masë bllokimin e pasaportës të shtetasit belg. Në këtë mënyrë ai nuk ka mundësi të largohet nga vendi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›