Buffet, i pari i pasanikëve
Warren Buffet kryeson listën e pasanikëve më të mëdhenj të botës me 62 miliardë dollarë. Mund të konsiderohet si rivaliteti më i madh në botë ai mes Buffet dhe Gates. Dy njerëzit më të pasur të botës janë prej vitesh në garë të vazhdueshme me njëri-tjetrin, jo vetëm për sa i përket grumbullimit të sasive të jashtëzakonshme të parave, por edhe të bamirësive. Në këtë pikë të garës, ndërsa Gates ka kryesuar listën e famshme të revistës "Forbes" për 13 vite me radhë, i duhet të tërhiqet për t‘ia lënë "mbretërimin" këtë vit rivalit të tij. Buffet, biznesmeni nga Nebrask, i njohur ndryshe edhe me nofkat "i mençuri i Omahës", pa që t‘i shumëfishoheshin paratë nga 10 miliardë dollarë në 62 miliardë një vit më parë, pas disa manovrave ekonomike. Ndër më të mëdhatë ishin përfshirja në ulje-ngritjet e monedhës braziliane dhe fitimet e mëdha që pati nga kompania e naftës. Fitimet e mëdha të vitit të fundit e çuan Buffet në majën e listës, e cila çdo vit paraqet renditjen e njerëzve më të pasur të planetit. Kryesimi i tij i jep fund 13 viteve gjatë të cilave Gates ka kryesuar, duke mos pasur asnjë rival. Gjithsesi, ai duhet të jetë i kënaqur me vendin e tretë që ia jep shifra prej 58 miliardë dollarësh. Vendin e dytë, ndërkohë, e ka zënë një emër shumë i përfolur vitin e fundit në ambientet e biznesit ndërkombëtar. Ai është manjati i Telekomit meksikan, Carlos Slim, pasuria e të cilit është 60 miliardë dollarë. Gates, nga ana e tij, ka 58 miliardë. Në vendin e katërt renditet britaniku me origjinë indiane, Lakshmi Mittal. Ai është një nga 49 miliarderët e listës që jetojnë në Britaninë e Madhe, i kthyer tashmë në ishullin e preferuar të pasanikëve të botës. Për sa i përket Buffet, ai vështirë se do ta festonte pozicionin e ri, sepse gjithmonë është shquar për pasuri të madhe e njëherazi për një përkorrje të theksuar në shpenzimin e parave. Një shembull i saj është edhe martesa e tij me partneren e një jete të tërë. Për të dashurën e zemrës, me rastin e vënies së kurorës, ai bleu një unazë me ulje çmimi, dhe për të festuar shkuan në një restorant të zakonshëm me ushqime deti. "Nuk mendoj se kjo arritje do të ndryshojë ndonjë gjë në jetën e Buffet. Nuk ka për t‘i ndryshuar as gjumin, as mënyrën e të ngrënit. Buffet nuk do t‘ia dijë për emocione dhe ngjarje të tilla nuk kanë asnjë ndikim", thotë biografi i pasanikut. Por kjo nuk do të thotë se njeriu më i pasur i globit është pa pasione. Një ndër to është edhe "Cherry Coce", një lloj pije e zakonshme e cila ka dalë në qarkullim në Amerikë, në vitet ‘80. Sigurisht që nuk mund të bëhej fjalë për një pasion të shtrenjtë. Si një demokrat i vërtetë, Buffet thotë se politika e ndjekur nga Bushi për taksat është e padrejtë dhe se të pasurit janë lehtësuar shumë, ndërkohë që të varfrit mbartin gjithë peshën më të rëndë. Pasuria e Buffet ka ardhur duke u shtuar, pavarësisht të gjithë veprimtarisë së bamirësisë, të cilën ai e kryen vazhdimisht dhe me shuma të konsiderueshme të hollash. 77-vjeçari premtoi në vitin 2006 se do t‘i dhuronte Fondacionit të Bamirësisë së rivalit të tij, Gates, 31 miliardë dollarë për të kontribuar në çështjet e shëndetësisë. Në korrik, ai dorëzoi pjesën e dytë të shumës prej 1.7 miliardë dollarësh. Ky donacion gjigand çimentoi miqësinë e vjetër të tij me themeluesin e "Microsoft"-it. Të dy burrat gjejnë gjithnjë kohë që të takohen e të kalojnë bashkë pushime, të luajnë brixh në shtëpinë e Buffet. Ajo është shtëpia që njeriu më i pasur i botës bleu në moshën 28-vjeçare, për shifrën 31 mijë dollarë. Shpesh kur takohet me Gates bën shaka me shtëpinë e këtij të fundit, që është një kështjellë e vërtetë, e fortifikuar me një vlerë prej 50 milionë dollarësh. E ndërsa Buffet po kalon një moment të mirë në biznes, Gates ka disa kohë që po përballet me vështirësi. Vlera e aksioneve te "Microsoft"-i ka rënë pas dështimit të ndërmarrjeve të Gates për të sunduar edhe internetin. Por ai, si një optimist i vërtetë, synon që të ndryshojë gjithçka me blerjen e mundshme të "Yahoo"-s. Vështirësitë e njeriut të "Microsoft"-it i kanë dhënë mundësi një pasaniku tjetër që të renditet një vend para Gates në listë. Ai është një person që i është dëgjuar zëri vonë në rrethet e financës botërore. Ai nuk para shqetësohet shumë për renditje pasanikësh të tipit "Forbes" dhe vjen nga një vend si Meksika, ku gjysma e popullsisë jeton në varfëri. Ndryshe nga Buffet dhe Gates, ai nuk e parapëlqen filantropinë dhe në lidhje me të është shprehur: "Varfëria nuk ndreqet përmes bamirësive". Për sa i përket britanikëve të vërtetë, më i pasuri ndër ta është duka i Uestminsterit, i cili renditet i 46-ti në botë. Miliarderi më i ri i identifikuar nga "Forbes", është Mark Zuckerberg, i cili është ideatori dhe realizuesi i uebsajtit "Facebook". Idenë për "Facebook" ai e pati 4 vjet më parë, ndërsa ndodhej në dhomën e konviktit. Zuckerberg është vetëm 23 vjeç dhe pasuria e tij është 23 miliardë dollarë. Lista e këtij viti përfshin edhe miliarderët e parë me origjinë afrikane. Kështu në listë ndodhet edhe sudanezi Mo Ibrahim, themeluesi i firmës telefonike "Celtel International". Të tjerë janë edhe nigeriani që merret me tregtinë e sheqerit, Aliko Dangote dhe bosi afrikanojugor i minierave, Patrice Motsepe.
Lista
1 Warren Buffett - 62.0 miliardë USD
2 Carlos Slim Helu - 60.0 miliardë USD
3 Bill Gates - 58.0 miliardë USD
4 Lakshmi Mittal - 45.0 miliardë USD
5 Mukesh Ambani - 43.0 miliardë USD
6 Anil Ambani - 42.0 miliardë USD
7 Ingvar Kamprad - 31.0 miliardë USD
8 KP Singh - 30.0 miliardë USD
9 Oleg Deripaska - 28.0 miliardë USD
10 Karl Albrecht Aldi - 27.0 miliardë USD