PD diversion opozitës: LSI do votojë reformat
Demokratët hapin kartat e bashkëpunimit me LSI-në për të realizuar reformën elektorale dhe atë në drejtësi. Deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj, ka zbuluar për "Shqip" projektin e mazhorancës për të siguruar 84 votat për realizimin e këtyre reformave përpara muajit prill, ku do të mbahet edhe Samiti i Bukureshtit. Ftesa për në NATO dhe detyrimi i qeverisë dhe politikës shqiptare për të kryer brenda këtij viti reformën elektorale dhe atë në drejtësi do të ulë së shpejti në një tavolinë të djathtën dhe të majtën. Mazhoranca shprehet e sigurt se brenda tri muajve të parë të vitit do të gjejë gjuhën e përbashkët me një pjesë të opozitës për të zbatuar pikat e kërkuara nga ndërkombëtarët, ku më kryesorja është përpilimi i një kodi të ri elektoral. Reforma në drejtësi, e cila sipas demokratëve ka si synim kryesor luftën ndaj korrupsionit dhe kufizimin e imunitetit te zyrtarët e lartë, përfshirë ministra, deputetë, por edhe prokurorë dhe gjyqtarë, është një tjetër faktor që shtyn PD dhe LSI-në t‘i shtrijnë dorën njëra-tjetrës për të bashkuar votat dhe për të konkretizuar kërkesat e ndërkombëtarëve. "E presim me pozitivitet deklaratën e LSI-së për të bashkëpunuar për ligjin që kufizon imunitetin", u shpreh Biberaj. Zv/presidenti i asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, Aleksandër Biberaj, ka bërë me dije se Partia Demokratike do të bashkëpunojë me Partinë Lëvizja Socialiste për Integrim për të kryer sa më parë reformat. "Mazhoranca do të bashkëpunojë me LSI-në dhe me partitë e tjera të opozitës për të konkretizuar sa më parë reformat që ajo duhet të plotësojë për t`u integruar në NATO", vijoi ai. Duket se viti 2008 për politikën shqiptare shënon një fillim të mbarë, megjithëse rezultati i këtij fillimi do të shikohet në prill të këtij viti, ku në samitin e Bukureshtit Shqipëria do të kërkojë ftesën për të hyrë përfundimisht në NATO. Deputeti i PD-së, Biberaj, ka bërë me dije se me ligjin që do të kufizojë imunitetin, mazhoranca ka parasysh luftën ndaj korrupsionit. Për ta realizuar atë si nismë kushtetuese, ky ligj kërkon 94 vota nga Kuvendi, ndërsa për ta kaluar thjesht si ligj, konsiderohen të mjaftueshëm edhe me sugjerim të Komisionit të Venecias 84 vota. Ideja e mazhorancës është që përveç deputetëve të kufizohet edhe imuniteti i përfaqësuesve të drejtësisë. "Kjo bëhet në sinkroni dhe me legjislacionin që kanë edhe disa vende të Bashkimit Evropian. Sipas tij, mazhoranca ka marrë edhe opinionin e Komisionit të Venecias, duke qenë në sinkroni edhe me komunitetin ndërkombëtar. Reforma elektorale dhe ajo në drejtësi mbeten prioritetet kryesore në muajt e parë të këtij viti. Edhe aleatët e PD-së kanë mirëpritur bashkëpunimin e mazhorancës dhe opozitës për kryerjen e reformave. Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, është shprehur hapur pro një marrëveshjeje mes LSI dhe mazhorancës për të ndihmuar për realizimin e reformave. Numri dy i qeverisë, Gazmend Oketa e ka cilësuar ftesën për në NATO si objektivin më kryesor të këtyre tre muajve të parë të vitit.