Premtimet e PD-së për 2008-ën
Partia Demokratike ka bërë publike dje nismat që do të ndërmarrë gjatë këtij viti. Ftesa për në NATO do të mobilizojë mazhorancën për tre muajt e parë të këtij viti. Deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferraj, i ka cilësuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe plotësimin e detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit me BE-në si disa nga prioritetet kryesore të politikave qeverisëse gjatë vitit 2008. Deputeti Xhaferraj e vlerëson si parësor "plotësimin e angazhimit për marrjen e ftesës për anëtarësim të vendit në NATO gjatë Samitit të Bukureshtit, që do të mbahet në muajin prill". Xhaferraj e vlerëson si një moment tjetër të vëmendjes së mazhorancës gjatë vitit në vazhdim përcaktimin e statusit të Kosovës. Sipas tij, një prioritetet tjetër i mazhorancës së djathtë për vitin që sapo ka hyrë do të jetë dhe "furnizimi i qytetarëve 24 orë me energji elektrike, një premtim elektoral ky që ende nuk është mbajtur nga shumica". "Rritja e investimeve në sektorin energjetik do të mundësojë përmirësimin e situatës në këtë drejtim, pa harruar këtu rritjen e investimeve edhe në fusha të tjera si në infrastrukturë, ku do të vazhdojë puna në disa vepra rrugore në Jug të vendit, të filluara më 2007 dhe që pritet të përfundojnë gjatë vitit 2008", theksoi ai. Rritja e pagave do të jetë një tjetër prioritet i Ekzekutivit, ku sërish përparësi do të ketë rritja e pagave në arsim dhe shëndetësi në masën 20 për qind, për të përmbushur premtimin që brenda vitit 2009 ato të dyfishohen, tha deputeti Xhaferraj.