Dervishi: 2007, arkëtuam 92 miliardë lekë
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Përparim Dervishi, tha dje gjatë një konference për shtyp, se gjatë vitit 2007 janë arkëtuar në buxhetin e shtetit 92 miliardë e 932 milionë lekë. Sipas Dervishit, administrata doganore për të tretin vit radhazi realizoi dhe tejkaloi planin e të ardhurave doganore në masën 102%. "Gjatë vitit 2007, u arkëtuan rreth 1 miliard e 645 milionë lekë më shumë se plani i rishikuar, i cili në muajin korrik u rrit me 6 miliardë lekë, si dhe 12 miliardë e 760 milionë lekë më shumë se gjatë vitit 2006, me një rritje prej 16% ose 150 milionë dollarë më shumë", tha Dervishi. Ndërkaq, ai foli edhe për zhdoganimet e mallrave të akcizës. Sipas Dervishit, gjatë vitit 2007 janë zhdoganuar rreth 413.336 tonë karburante, nga 337.404 tonë të zhdoganuara në vitin 2006, me një rritje prej 55.932 tonë, ose 16% më shumë se në vitin 2006. Kreu i Doganave shqiptare tha se gjatë vitit që lamë pas u zhdoganuan rreth 6.281 tonë kafe, nga 5.442 tonë kafe të zhdoganuara në vitin 2006, me një rritje prej 446 tonë, ose 8%. Sipas kreut të Doganave, rritje të zhdoganimeve ka pasur edhe për artikullin birrë, ku gjatë vitit 2007 u zhdoganuan rreth 29.481 hektolitra, nga 22.646 hektolitra të zhdoganuara në vitin 2006.