Shi dhe diell, koha ideale për të mbledhur thesarin e fshehur të natyrës
Por gjithmonë pas diçkaje që të mërzit ka diçka që të bën të ndihesh mirë. Nëse të qëndruarit në shtëpi ju mërzit dhe nëse pasioni për pyllin, erën e mrekullueshme të tokës dhe bimëve pas shiut është i madh është më mirë të çlodheni duke shëtitur në pyll, sepse kjo është edhe koha ideale për të gjithë ata që pëlqejnë të shijojnë çdo ditë recetat e shijshme të gatuara me kërpudha të freskëta të mbledhura me kujdes dhe dashuri. Sigurisht që edhe shprehja, si kërpudhat pas shiu, u shkon shumë për shtat. Shumë i konsiderojnë si një burim alternativ proteinash për të zëvendësuar mishin. Të varfra me kripëra minerale, vitamina dhe kalori lloje të ndryshme të tyre kanë veti antikancerogjene, të tjera kontribuojnë për të ulur nivelin e kolesterolit në gjak dhe disa të tjera përmbajnë vitamina dhe aminoacide me një rëndësi të madhe. Përbërësit e tyre, sipas studimeve më të fundit, mund të përdoren për të luftuar depresionin, problemet me gjakun apo migrenën.
Rreziqet
Është e vërtetë, kërpudhat kanë shumë proteina, por efekti i tyre edhe mund të jetë toksik për trupin. Ndryshe nga bimët e tjera, të cilat rriten me anë të fotosintezës dhe e marrin energjinë nga drita e diellit, kërpudhat kanë mungesë klorofili, pra nuk mund të shfrytëzojnë energjinë e diellit. Si rrjedhim ato duhet t‘i marrin lëndët e tyre ushqyese nga bimët e kalbura apo kafshët. Duke u ushqyer nga errësira dhe nga lëndët e vdekura, ato i kalojnë këto cilësi statike te konsumuesit. Madje, edhe llojet e kërpudhave të ngrënshme, me çmim më të shtrenjtë, krijojnë vështirësi në tretje, në qoftë se merren në sasi të konsiderueshme, dhe shkaktojnë plogështi mendore, letargji fizike dhe marrje mendsh; kjo sepse në shumicën e rasteve sasia e energjisë që duhet për të fituar lëndët ushqyese, të përdorshme nga kërpudhat, është më shumë sesa energjia që merret me anën e tyre. Kërpudhat, gjithashtu, kalben shpejt, duke prodhuar alkaloide shumë toksike ptomaine. Disa lloje të mbledhura në fushë të këputura në një ditë të ngrohtë dhe të ruajtura pa ajrosjen e duhur, mund të kalben plotësisht brenda një kohe shumë të shkurtër.
Legjenda dhe mitologjia
Kërpudhat, pikërisht për faktin se duket sikur dalin vetvetiu mbi tokë apo kapen fort mbi trungun e pemëve po ashtu edhe për vetitë helmuese të disa llojeve prej tyre kanë tërhequr vëmendjen e njerëzve që prej antikitetit, duke i bërë këto krijesa të vogla të natyrës protagoniste të besimeve dhe legjendave popullore. Sipas disa besimeve, kërpudhat që formojnë rreth gjatë daljes së tyre janë pasojë e vallëzimit të shtrigave në ato vende. Në Kinën antike, kërpudhave u kishin vendosur edhe emra. Për shembull ato të quajtura "ku" apo "shih" konsideroheshin simbol të jetëgjatësisë, të hyjnores dhe pavdekshmërisë. Aztekët dhe Majat i konsideronin kërpudhat halucinogjene si "mish hyjnor" për shkak të vetive të tyre halucinogjene. Edhe në Greqinë e vjetër, ashtu si në Kinë konsideroheshin si simbol i jetës dhe si diçka hyjnore. Sipas një legjende, Zeusi dhe Danae kishin si djalë, Perseus, gjetësin e Mikenas (Mycenas) që pas një udhëtimi të gjatë i rraskapitur nga lodhja mundi të shuante etjen e madhe me ujin që gjendej brenda kapelës së një kërpudhe. Për këtë arsye vendosi të themelojë në atë vend një qytet të ri të quajtur Mikenas (nga greqishtja mykes = kërpudhë), duke i dhënë jetë qytetërimit mikenas. Ndërkaq, në Romën e vjetër, kërpudhat edhe pse vlerësoheshin për cilësitë e tyre kulinare, u bënë simbol i vdekjes, pasi në latinisht fungus përkthehej ndryshe si "ndjellës i vdekjes". Janë të ndryshme episodet mes legjendës dhe realitetit të lidhura me vdekjen që ato mund të sjellin. Për shembull tregohet se perandorit Klaud i pëlqenin aq shumë kërpudhat sa gjeti vdekjen për shkak të tyre. Thuhet se gruaja Agripina, duke njohur këtë dobësi kulinare, duke dashur të vendoste në fron në vend të tij, djalin e saj Neronin, e helmoi me kërpudha vdekjeprurëse. Po ashtu, sipas mitologjisë, nordike tregohet se një herë Odini, po ndiqej nga djajtë dhe shkuma e kuqe që dilte nga goja e Sleipnirit, kalit të tij magjik me katër këmbë shndërroheshin si me magji në kërpudha të kuqe. Në Siberi, siç tregon James Arthur, një etnobiolog me famë ndërkombëtare, xhuxhët e përdornin dhe përdorin akoma kërpudhën "Amanita muscaria" si një sakrament fetar. Njerëzit që hynin në shtëpi përmes një të çare në tavan dhe i sillnin të futura në thasë të vegjël të veshur me të kuqe dhe të bardha, në ngjyrat e babagjyshit të Vitit të Ri apo edhe të "Amanitës" që në Siberi rritet në pyjet halorë. Edhe në Rusi ato përdoreshin për të gjetur objektet e humbura dhe përmes erës së tyre njerëzit mund të pastronin shpirtin nga mëkatet. Për amerikanët, shtatori konsiderohet si muaji kur kërpudhat duhet të hahen dhe nderohen. Franca konsiderohet si vendi ku kërpudhat nisën të kultivoheshin për herë të parë, ndërsa pas saj tendenca nisi të hapej me shpejtësi në Angli dhe Amerikë. Sot, për shembull në SHBA, Pensilvania mbulon rreth 61 për qind të prodhimit të përgjithshëm ndërsa në Evropë Franca ende sot vazhdon të renditet e para.
Përdorime të tjera
Përveç recetave të jashtëzakonshme kulinare dhe përdorimit për qëllime mjekësore në shumë vende të botës së tretë akoma sot kërpudhat përdoren për ngjyrosjen e tekstileve, sidomos leshit dhe fibrave të tjera natyrore. Përbërësit e tyre organikë prodhojnë ngjyra të forta dhe të gjalla dhe gjithë spektri i ngjyrave mund të arrihet me kërpudhat që përdoren për ngjyrosje. Madje, përpara ngjyrosjes sintetike këto lloj kërpudhash ishin burimi kryesor në ngjyrosjen e tekstileve një teknikë që çuditërisht vazhdon të ndiqet edhe sot në disa zonat caktuara të Finlandës.
Vlerat ushqimore
Njerëzit i pëlqejnë ato për shkak të shijes dhe përdorimit të shumëllojshëm. Ato mund të përdoren kudo, që nga picat e deri te supa apo pjatat me bazë mishin. Por a janë ato vërtet të mira për organizmin? Përgjigjja është po. Në fakt, kërpudhat janë një thesar i fshehur për sa u përket vlerave ushqyese. Ndërkohë që frutat dhe perimet dihen tashmë se kanë një rëndësi të madhe për një ushqimin korrekt, kërpudhat edhe pse janë të krahasueshme me to shpesh lihen pas dore nga studiuesit e ndryshëm. Kjo nuk është e drejtë, sepse ato janë një burim i pashfrytëzuar vitamine B,D niacin, antioksidantë. Sipas studimeve, shumë njerëz vuajnë nga mungesa e kalciumit në gjak, ndaj sipas tyre, kërpudhat janë burimi më i mirë për të zëvendësuar këtë mungesë shpesh të rrezikshme. Nuk përmbajnë sheqerna, kripëra apo yndryrna dhe janë një burim i mirë ushqimi për diabetikët dhe vegjetarianët.
Zbulimi më i ri
Ka nxjerrë në dritë se ato janë mjaft të pasura me antioksidantë L-Ergothioneine duke kaluar edhe vendin e mëlçisë së pulës që dikur renditej e para. Sipas kërkuesve, ky lloj antioksiduesi shkatërron radikalet e lira dhe e mbron ADN-në nga dëmtimi. Si rezultat i këtij studimi, u mendua që kërpudhat e bardha të merrnin statusin e ushqimit të jashtëzakonshëm. Krahasimi më i mirë i tyre do të ishte me spinaqin dhe rrepat e kuqe, dy ushqime që nuk duhet të mungojnë kurrë në tryezë.
Somariot
80 mijë
Janë llojet e kërpudhave të klasifikuara në botanikë
85 mijë
Përqindja e ujit që përmbajë kërpudhat
8 mijë
Janë llojet që gjejmë zakonisht në pyll
60 gramë
Kaloritë që përmbajnë mesatarisht 100 gramë kërpudha
Ushqyese
Të varfra me kripëra minerale, vitamina dhe kalori lloje të ndryshme të tyre kanë veti antikancerogjene, të tjera kontribuojnë për të ulur nivelin e kolesterolit në gjak dhe disa të tjera përmbajnë vitamina dhe aminoacide me një rëndësi të madhe
Helmuese
Kërpudhat kanë shumë proteina, por efekti i tyre edhe mund të jetë toksik për trupin. Ndryshe nga bimët e tjera, të cilat rriten me anë të fotosintezës dhe e marrin energjinë nga drita e diellit, kërpudhat kanë mungesë klorofili, pra nuk mund të shfrytëzojnë energjinë e diellit
Besimi
Sipas disa besimeve, kërpudhat që formojnë rreth gjatë daljes së tyre janë pasojë e vallëzimit të shtrigave në ato vende. Në Kinën antike, kërpudhave u kishin vendosur edhe emra. Për shembull ato të quajtura "ku" apo "shih" konsideroheshin simbol të jetëgjatësisë, të hyjnores dhe pavdekshmërisë
Legjenda
Tregohet se perandorit Klaud i pëlqenin aq shumë kërpudhat sa gjeti vdekjen për shkak të tyre. Thuhet se gruaja Agripina, duke njohur këtë dobësi kulinare, duke dashur të vendoste në fron në vend të tij, djalin e saj Neronin, e helmoi me kërpudha vdekjeprurëse
Prodhimi
Franca konsiderohet si vendi ku kërpudhat nisën të kultivoheshin për herë të parë, ndërsa pas saj tendenca nisi të hapej me shpejtësi në Angli dhe Amerikë. Sot, për shembull në SHBA, Pensilvania mbulon rreth 61 për qind të prodhimit të përgjithshëm ndërsa në Evropë Franca ende sot vazhdon të renditet e para
Përdorimi
Përveç recetave të jashtëzakonshme kulinare dhe përdorimit për qëllime mjekësore në shumë vende të botës së tretë akoma sot kërpudhat përdoren për ngjyrosjen e tekstileve, sidomos leshit dhe fibrave të tjera natyrore. Para ngjyrosjes sintetikeato ishin burimi kryesor në ngjyrosjen e tekstileve
Kalbja
Kërpudhat, gjithashtu, kalben shpejt, duke prodhuar alkaloide shumë toksike ptomaine. Disa lloje të mbledhura në fushë të këputura në një ditë të ngrohtë dhe të ruajtura pa ajrosjen e duhur, mund të kalben plotësisht brenda një kohe shumë të shkurtër.
Te domosdoshme
Përbërësit e tyre, sipas studimeve më të fundit, mund të përdoren për të luftuar depresionin, problemet me gjakun apo migrenën. Krahasimi më i mirë i tyre do të ishte me spinaqin dhe rrepat e kuqe, dy ushqime që nuk duhet të mungojnë kurrë në tryezat tona dhe vaktet e përditshme
Rreziqet
Madje, edhe llojet e kërpudhave të ngrënshme, me çmim më të shtrenjtë, krijojnë vështirësi në tretje, në qoftë se merren në sasi të konsiderueshme, dhe shkaktojnë plogështi mendore, letargji fizike dhe marrje mendsh
Zbulimi
Zeusi dhe Danae kishin si djalë, Perseus, gjetësin e Mikenas (Mycenas) që pas një udhëtimi të gjatë i rraskapitur nga lodhja mundi të shuante etjen e madhe me ujin që gjendej brenda kapelës së një kërpudhe. Për këtë arsye vendosi të themelojë në atë vend një qytet të ri të quajtur Mikenas
Kuriozitete
Kërpudha më e madhe në Evropë është zbuluar në Zvicër rreth një vit më parë dhe është 800 metra e gjatë dhe 500 metra e gjerë dhe një sipërfaqe prej 35 hektarësh. Ajo është zbuluar nga shkencëtarët e Entit Kërkimor Federal për pyjet, në një park kombëtar. Bëhet fjalë për kërpudhën "Armiliar", të quajtur ndryshe kërpudhë me flegra. Mosha e saj mendohet se i kalon 1000 vjetët. Ndërkaq, edhe në Amerikë gjenden kërpudha akoma më të mëdha. Në pyjet e Oregonit, jeton një Armilarie e errët që shtrihet në një sipërfaqe prej 2200 hektarë dhe ka një peshë prej 600 tonelatash dhe një moshë rreth 2400 vjet. Kjo mendohet se është edhe kërpudha më e vjetër në botë.
Receta
Mish i mbushur me kërpudha
Përbërësit :Vaj ulliri, fileto mishi, kërpudha pylli, kripë, piper, hudhër majdanoz dhe pak verë e bardhë. Një tigan ku kemi hedhur pak vaj ulliri e lëmë të nxehet në zjarr të fortë dhe pastaj vendosim për t‘u skuqur filetot e mishit. I lëmë të ziejnë për dhjetë minuta dhe pastaj i shtojmë pak kripë dhe piper. E heqim nga zjarri dhe e lëmë mënjanë. Nxehim sërish vajin e mbetur në tigan ku hedhim kërpudhat e prera në kubik të vegjël, hudhrën dhe majdanozin. Edhe këto i lëmë të ziejnë për dhjetë minuta derisa kërpudhat të zbuten plotësisht. Në fund i hedhim verën dhe i lëmë derisa ajo të avullojë duke i shtuar edhe pak piper sipas dëshirës. Salcën e përgatitur me kërpudha e vendosim brenda filetove, të cilat duke i mbështjellë role i vendosim në furrë për disa minuta.
Sallatë me kërpudha
Karota, bishtaja, hudhër, vaj ulliri pak gjalpë, majdanoz i freskët, kripë
Në një tenxhere zieni karotat dhe bishtajat në ujë me shumë kripë. Pasi të kenë marrë valë mirë lihen mënjanë. Në një tigan me pak vaj ulliri skuqen kërpudhat dhe pasi të jenë skuqur u shtohen sipër hudhrat e grira hollë, majdanozin, rozmarinën, kripën dhe gjalpin. Pasi t‘i keni përzier sipër shtojini kërpudhat dhe bishtajat. Përzini të gjitha bashkë dhe servirini të ngrohtë.
Supë krem me kërpudha
Pak miell skuqet me pak gjalpë dhe përzihen derisa të marrë një ngjyrë ari. Më pas i shtojmë lëngun e mishit dhe e përziejmë shpejt që të tretet plotësisht. Pasi i kemi lënë të marrin valë për pak minuta i shtojmë kërpudhat e lara mirë. Në fund i shtojmë vezën dhe limon sipas dëshirës