Në pritje të lamtumirës së Kastros
Që kur Fidel Kastro i ka kaluar pushtetin vëllait të tij, Raul, në Kubë është krijuar një gjendje ankthi e pritjeje për ndonjë ndryshim të mundshëm. Por ishulli duket si i ngecur në kohë
Kur bie shi, djemtë e Havanës nuk futen nëpër strehëza në pritje të hapjes së motit, por kacavirren pas makinave për të vajtur në lagjen bregdetare të kryeqytetit, ku mund të luajnë pafundësisht lojëra rrugësh, në të cilat vënë edhe kokën në rrezik. Që kur Raul Kastro ka ardhur në fronin e pushtetit të lënë bosh nga i vëllai në vitin 2006, jeta e të rinjve kubanë nuk ka ndryshuar në asnjë aspekt. Sipas liderit të disidencës, Vladimir Roko, pakënaqësia e të rinjve ndaj pushtetit nuk ka qenë kurrë më parë e këtyre përmasave. Në fakt, kjo duket edhe nga lojërat me rrezik të madh që ata bëjnë në rrugë me makina, ose motorë. Duket sikur jeta nuk u bën përshtypje, sikur nuk duan t‘ia dinë më për asgjë. Ky është një tregues i mungesës së perspektivës, që është edhe shtysa e vetme që i bën të rinjtë të braktisin ishullin me të gjitha mënyrat e mundshme. Vetëm në vitin 2007 e kanë lënë vendin 14 mijë kubanezë.
Lufta e përditshme
Që prej 7 vitesh, një profesor universiteti mbledh në shtëpinë e tij të vogël studentët që duan të flasin lirshëm për sa po ndodh në vend. Mes tyre është edhe Alvaro, një mjek 33-vjeçar i pakënaqur nga situata profesionale. Sipas tij, "në Kubë mbretëron pasiguria e plotë për të nesërmen dhe nuk është kjo ndjenjë ajo që dua t‘u lë trashëgim fëmijëve të mi", thotë mjeku. Zgjedhjet lokale të 21 tetorit, në të cilat, sipas regjimit, votuan 8 milionë veta, nuk kanë sjellë asnjë lloj ndryshimi, sepse komitetet e mbrojtjes së revolucionit zbatuan strategjinë e tyre si zakonisht: kërcënuan me burgim ata që nuk kishin dëshirë të votonin. Në fakt, gjërat në vend sa vijnë e po keqësohen. E, megjithatë, ka edhe nga ata të rinj që përpiqen ta sfidojnë realitetin e rëndë, duke flirtuar me njëri-tjetrin. Kështu mblidhen netëve nëpër diskotekat e qytetit dhe kërcejnë deri natën vonë. Ka nga ata që kapen pas fjalëve të Fidel Kastros për të ngritur optimizmin. Për shembull, sipas liderit të revolucionit kuban, Kuba mban vendin e parë në të gjithë Amerikën Latine për numrin e të rinjve të shkolluar, ndërkohë Alvaro, mjeku ynë, nuk i zë besë retorikës së Kastros, e cila, sipas tij, përdoret vetëm për t‘i vënë njerëzit në gjumë, ose për t‘i ushqyer me ëndrra boshe për një realitet, që në fakt sa vjen e po bëhet më i rëndë. Ai është i bindur që pavarësisht kësaj situate pezull, vdekja e liderit marksist do të sjellë me siguri ndryshime të mëdha në vend. Ndërkohë, e vetmja "parajsë" reale për kubanezët janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për të marrë një vizë amerikane ata duhet të rrinë në radhë të gjata, me ditë të tëra, përpara një zyre konsullore, e cila procedon shumë ngadalë. Qytetarët e Havanës e quajnë konsullatën "Ura e psherëtimave". Një kategori e njerëzve që duan të marrin viza janë ata që kërkojnë rezidencë të përkohshme, duke qenë se familjarët e tyre janë nënshtetas amerikanë, ndërsa, nga ana tjetër, janë ata që kanë arsye të ndryshme për të ikurin dhe këta janë vetëm njerëz të privilegjuar nga sistemi, një kategori e sigurt që premtojnë të kthehen sërish e mbi të gjitha të mos bëjnë propagandë kundër Havanës zyrtare. Fjala "arrati" bën pjesë në fjalorin e përditshëm të kubanezëve. Atë e has në çdo bisedim, pasi të gjithë e kanë synim ikjen, arratinë nga një vend që u dhuron veç vuajtje e kohë të humbur. Kubanezëve u duhet të luftojnë për çdo gjë, që nga copa e bukës deri te banesa. Rroga mesatare e tyre është 8 euro në muaj, çdo herë që shkojnë në treg nevrikosen, sepse çmimet rriten pareshtur. Edhe banesat janë jashtë standardeve. Shtëpitë kanë të gjitha dhoma aq të vogla sa nuk mbajnë dot gjë tjetër brenda veç frymëve. Por, disa kanë gjetur mënyrën për t‘i ikur qoftë edhe në mënyrë virtuale këtij realiteti rraskapitës dhe kjo mënyrë është televizori. Disa persona kanë ndërtuar kuti, me të cilat mund të kapin stacionet televizive të vendeve fqinje dhe kështu mund të shohin atë që ndodh në "botën e përtejme". Por kjo është e paligjshme dhe banorët i fshehin kabllot televizive brenda tubave të ujit. Një nga kategoritë që vuan më shumë, sigurisht është ajo e të moshuarve, pensionistëve. Me 4 euro në muaj që është pensioni i tyre ata nuk mund të sigurojnë asnjë ushqim dhe kështu, nëse kanë pak fat me shëndetin vazhdojnë të punojnë deri në rraskapitje të plotë. Përballë vështirësive të mëdha të përditshme, shpesh njerëzit bëhen individualë, mbyllen në vetvete dhe mendojnë vetëm për atë çka i rrethon, duke mbyllur sytë përballë atyre që kanë më shumë nevojë për ndihmë.
Dy shpejtësi
Në Kubë shërbimi shëndetësor është falas. Kur ai ndihmohej nga sovjetikët e gjithë bota e lavdëronte, por pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, situata është përkeqësuar në mënyrë drastike, që do të thotë se në spitale nuk ka asgjë, madje shpesh mungojnë edhe shtretërit, apo mbulesat e batanijet, të cilat të sëmurët duhet t‘i sjellin me vete, përndryshe mund të përfundojnë edhe në tokë, pas operacionit. Nuk flasim për ilaçet, aget e gjilpërave apo edhe ujin e pijshëm. Sektori i shëndetësisë është përkeqësuar, edhe pse shumë mjekë vendosin të heqin dorë nga profesioni i tyre, pasi më mirë u del që të jenë taksistë në zonën turistike të qytetit se sa të ushtrojnë profesionin e kirurgut. E si për të mos mbaruar këtu, një tjetër vendim i Fidel Kastros i viteve të fundit i ka koklavitur edhe më gjërat. Bëhet fjalë për dërgimin e rreth 25 mijë mjekëve në Venezuelë në këmbim të naftës, që u vjen nga lideri i vendit Chaves. Kjo politikë e ka shkatërruar tërësisht sistemin e mjekëve të familjes dhe i ka demotivuar profesionistët që kanë mbetur në Kubë. Megjithatë, shëndetësia ka edhe një pamje tjetër po në Kubë. Për ata që janë të pasur, ose për turistët e huaj, është në dispozicion një spital luksoz i pajisur me aparaturat e fundit, që sigurisht bën kontrast me kasollet spitalore ku përfundojnë njerëzit e thjeshtë të sëmurë. Pikërisht ky spital është një nga vitrinat e Fidel Kastros për të propaganduar sektorin shëndetësor të vendit. Në këtë klinikë ka salla ku transmetohen fjalime të vjetra të Fidel Kastros, ndonjë dokumentar për revolucionin dhe Che Guevarrën. Aty pranë ndodhet edhe një farmaci plot e përplot me ilaçe, vetëm se hyrja u ndalohet kubanezëve. E vetmja mënyrë për të blerë aty për një vendas është t‘i kërkojë favor ndonjë të huaji. Le t‘i rikthehemi edhe njëherë konsullatës amerikane. Një gjë e veçantë është se në njërin prej mureve të saj ndodhet një ekran i madh që transmeton lajme nga bota, të cilat kanë të bëjnë më Kubën. Njëri prej tyre ishte edhe thirrja që Presidenti amerikan, Bush, i bënte popullit të Kubës dy vjet më parë, ku i thoshte që populli duhet ta merrte fatin e tij në dorë. Fidel Kastro nuk e bëri të gjatë kundërpërgjigjen për një mesazh të tillë. Ai vendosi në afërsi të konsullatës 50 flamuj të shteteve amerikane me një shenjë zie. Pikërisht konflikti mes Uashingtonit dhe Havanës është ndër më të dukshmit në ishull. Për të tallur amerikanët ekziston edhe një film vizatimor me seri kuban. Ndërkohë, më liberalët në ishull shpresojnë që me ikjen e Kastros do të bjerë edhe agresiviteti i dukshëm verbal mes të dyja vendeve, pasi Kastro është një nga provokatorët e talentuar të amerikanëve. Sipas tyre, Kuba dhe Shtetet e Bashkuara kanë shumë gjëra të përbashkëta dhe nuk duhet që të kenë gjithmonë një qëndrim majë më majë.
Vitet e fundit, një nga të ashtuquajturit suksese të Kastros, barazia sociale, ka pësuar goditje, pasi në Havanë ka shumë të ardhur nga zonat e varfra lindore të vendit. Këta të ardhur kanë formuar lagjet e tyre në periferi të kryeqytetit dhe nga kryeqytetasit quhen me tallje "palestinezë". Këta "refugjatë" të brendshëm, të cilët nuk kanë leje më shumë se tre muaj për të punuar në kryeqytet, shpesh janë kontingjenti i dhunës dhe i kriminelëve dhe mbi të gjitha nga vetë kubanët e kryeqytetit konsiderohen si qytetarë të dorës së fundit. Kur qeveria e sheh se fluksi i madh i "palestinezëve" bëhet problematik, atëherë organizon operacione spastruese dhe i dërgon të ardhurit në shtëpitë e tyre. Por, pas pak kohe ata rikthehen sërish dhe fenomeni përsëritet.
Për të përshkruar situatën e ndërtesave në Havanë, arkitektët kanë shpikur shprehjen: "statikë e mrekullueshme". Arsyeja është se nuk dihet se si ka mundësi që disa ndërtesa në Havanë vazhdojnë të qëndrojnë ende në këmbë, pasi nuk ekziston asnjë ligj i fizikës që ta shpjegojë këtë qëndrim. Përveç një zone të vjetër, që është restauruar, ndërtesat e tjera të kryeqytetit mund të shemben nga çasti në çast, duke shkaktuar dëme, por askush nuk vë dorë në to për të parandaluar ndonjë tragjedi të mundshme. Pjesa më e madhe e ndërtesave nuk është rikonstruktuar që nga vitet ‘50. Këshilla e parë që marrin të huajt sapo vënë këmbën në Havanë, është që të ecin në mes të rrugës e jo nëpër trotuare, në rast se do të duan që të mos u shembet ndonjë mur në kokë. Sipas disa arkitektëve, që sigurisht flasin pa dëshiruar që të identifikohen, nëse një shtet lë një godinë, ose qoftë edhe një lagje pa e rikonstruktuar për një kohë të gjatë, kjo edhe mund të quhet neglizhencë, por nëse në një qytet për dhjetëra vite me radhë nuk vihet dorë në ndërtesat e tij, veçanërisht në ato të banimit, atëherë pas kësaj fshihet ndonjë gjë e qëllimtë. Sipas disave, shpjegimi është se duke qenë se Kastro gjithë fjalimet e tij i bazon te politika antiamerikane, mendon se në rast të ndonjë sulmi të mundshëm ajror të amerikanëve ndërtesat e vjetra do të japin idenë e një qyteti të bombarduar dhe kjo do ta hutojë kundërshtarin.
Trenat paralelë
"Nuk e kalojnë edhe aq keq", thotë një turist francez, që e viziton shumë shpesh Kubën. Ai vjen nga jugu i Francës. Shpesh pasioni i tij është që të marrë një makinë e të vërtitet nëpër ishull. Së fundi bëri një shëtitje në një zonë rreth 140 km larg Havanës, në një lokalitet që me ato plazhet e bardha e me ndërtesat moderne është kthyer në një Mekë të turistëve. Në kulmin e stinës turistike vijnë qindra mijëra turistë nga e gjithë bota. Një nga gjërat që të huajve u bën përshtypje është mikpritja e ishullorëve ndaj të huajve. Por, këta të huaj nuk lejohen të shkojnë nëpër zonat ku jetojnë kubanët e vërtetë, jashtë plazheve magjepsëse e ndërtesave moderne e shik.
Në vitet ‘90, gjatë të ashtuquajturës periudhë "speciale", një program i posaçëm ekonomik i dhunshëm i ndërmarrë nga Fidel Kastro, e gjithë zona përreth asaj turistike ishte kthyer në një bordello gjigante. Një çift nga familja mbretërore spanjolle, që kishte shkuar aty për pushime, ishte tmerruar nga mësymja e prostitutave dhe si pasojë i shkroi një letër Fidel Kastros. Pak ditë më vonë, dhjetëra kamionë evakuuan qindra prostituta. Sot, plazhet e bukura të vendit u janë rezervuar vetëm të huajve, ndërsa prostitucioni është shumë më i maskuar. Pjesa më e madhe e të huajve vijnë e rivijnë në ishull për tri gjëra të vetme: femrat, rumin dhe purot, të cilat të tria bashkë nuk mund t‘i gjesh në asnjë vend tjetër të botës. Kjo lloj Kube, më shumë se me një shtet komunist, ngjan me një bordello të madhe në mes të Karaibeve, me një vend ku njerëzit shfrytëzohen e turistët hazdisen, ku një grusht njerëzish pasurohen duke sharë amerikanët e duke vendosur në themel të milionave të tyre shpirtrat e një kombi, i cili që prej dhjetëvjeçarësh jeton ferrin e izoluar dhe të braktisur. Në fakt, gjërat kështu kanë qenë gjithmonë, edhe kur ishulli 50 vjet më parë ndodhej nën influencën e amerikanëve. Por, ky realitet është i padukshëm për turistët dhe të huajt që shohin vetëm detin, rërën dhe ekzotizmin. Realiteti i vërtetë me atë që perceptojnë të huajt janë si dy trena që lëvizin në rrugë paralele dhe që nuk takohen kurrë. Të gjithë turistët dëshirojnë të rikthehen në Kubë pas herës së parë, por nuk dihet se si do të reagonin, në rast se do të përçapeshin pak më përtej brigjeve e zonave turistike, aty ku fillon e nxin qyteti dhe varfëria tregon dhëmbët në mënyrën më të pacipë?!