E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku, ushtarakët që vidhnin fishekë

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbardhur rrjetin e trafikut të fishekëve të marrë në depot e një reparti ushtarak në Berat. Katër ushtarakë dhe një civil do të përballen me akuzat e "shpërdorimit, shkatërrimit ose dëmtimit të pronës ushtarake", si dhe "trafikim të municioneve luftarake" dhe akuzën e "mbajtjes pa leje të municioneve luftarake". Ata janë Medi Hasani, me detyrë shofer pranë repartit ushtarak Pezë-Helmës, Tiranë. Sipas kërkesës për gjykim, nga transkriptimet e bisedave të përgjuara që zhvillonte ky i pandehur, rezultonte se ai kërkonte të blinte nga i pandehuri Gramoz Bendo, me detyrë magazinier pranë repartit ushtarak në Mbreshtan, Berat, një sasi municioni. "Për të arritur qëllimin kriminal, i pandehuri Hasani kërkoi bashkëpunimin edhe me të pandehurin Arif Mata, me detyrë oficer me gradën "Major" pranë repartit Pezë-Helmëz dhe Pajtim Lamaj, me detyrë shofer pranë Pezë-Helmëz në Tiranë. Ndërsa i pandehuri i fundit është Nasi Strori, roli i të cilit ka qenë mbështetës, pasi ai vetëm sa ka ngarkuar municionet në automjetin e ushtrisë. Sipas prokurorisë, Bendo, pasi siguroi sasinë prej 51000 mijë copë fishkësh luftarakë të paketuar në 90 pako metalike, duke shpërdoruar detyrën, i dërgoi për t‘i fshehur me ndihmën e të pandehurit Nasi Strori në një gurore gëlqereje pranë qytezës së "Urës Vajgurore" në Berat. Bendo përcaktoi çmimin e municioneve, ra dakord me të pandehurin Medi Hasani për t‘ia shitur më datë 20 mars 2007. Ky i fundit, në bashkëpunim me të pandehurit Mata dhe Lamaj, u nisën në drejtim të qytetit të "Urës Vajgurore", ku Mata kishte siguruar me anë të mashtrimit një autorizim nga komanda e repartit për automjetin tip kamion me targa U1166, i cili drejtohej nga i pandehuri Lamaj, për të lëvizur në drejtim të qytetit të Kamzës. Pas konstatimit të faktit nga ana e prokurorëve është autorizuar GOS-i që të ndjekë lëvizjet. "Pasi u konstatua se shitblerja e tyre u realizua nga të pandehurit dhe ngarkesa prej 51000 fishekësh të përcaktuar në 90 pako metalike u vendos në kamionin me targa U1166, që drejtohej nga i pandehuri Lamaj, u nisën për në Tiranë. Në vendin e quajtur Fier-Shegan, në aksin rrugor Berat-Lushnjë, më datë 20 mars 2007, rreth orës 16:30 u ushtrua kontroll nga GOS-i dhe u gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale sasia e municioneve", thuhet në dosjen e akuzës. Sipas saj, sipër kutive me municione ishin hedhur një sasi gurësh nga të pandehurit Lamaj, Stori e Bendo, me qëllim fshehjen e kësaj ngarkese. Pas kësaj u arrestuan të lartpërmendurit. Pas arrestimit është ushtruar kontroll në banesat e tyre dhe në shtëpinë Medi Hasanit u gjetën dhe sekuestruan 60 kuti kartoni me municion luftarak me nga 30 copë fishekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›