Polici, kreu i grupit të drogës Shqipëri-Greqi
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar në gjykatë dosjen ndaj policit trafikant. Baki Kapllani akuzohet për veprën penale të "trafikimit të lëndëve narkotike", në bashkëpunim. Nga aktet e hetimit rezulton se i pandehuri Roland Kaja, në mëngjesin e datës 17 maj 2006 ka marrë të paketuar nga Baki Kapllani një sasi lënde narkotike të tipit heroinë dhe është nisur përsëri për në Kakavijë, me qëllim që të udhëtojë drejt Greqisë, ku ishte dhe destinacioni që do të çonte këtë lëndë. Sipas kërkesës për gjykim, lënda narkotike ishte e paketuar në katër pako, të mbështjella me natriban me ngjyrë bezhë, me peshë të përgjithshme prej 2 kg. Mbasi ka arritur në Kakavijë, i pandehuri ka prerë biletën për të udhëtuar për në Greqi me autobusin me targë PR1360B, të linjës Tiranë-Selanik dhe ka kryer procedurat për kontrollin dhe vulosjen e pasaportës.
Gjatë kontrollit të kryer në bagazhet e Roland Kajës, të ndodhura në ambientet e brendshme të autobusit, u gjetën dhe sekuestruan katër pakot me lëndë narkotike dhe bazuar mbi këtë fakt u krye arrestimi në flagrancë i të pandehurit Roland Kaja. Ai është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Nga të dhënat e hetimit rezulton se të pandehurit Roland Kaja i është sekuestruar aparati i telefonit celular me numrin e kartës telefonike. "Nga të dhënat e marra rezulton se numri i telefonit të Kajës ka komunikuar ndërmjet të tjerash edhe me numrin e Kapllani. Nga tabulatet telefonike të marra, rezulton se ditën e ngjarjes ka thirrje me numrin e telefonit, që i është sekuestruar të arrestuarit ditën e ngjarjes. Ky numër është vënë në përgjim me vendimin gjykate", thanë burimet nga akuza. Sipas tyre, përgjimi është lejuar në bazë të një materiali kallëzues të Drejtorisë së Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, ku të pandehurit Ylli Kapo dhe Gentian Baba dyshoheshin se në bashkëpunim me përdoruesin e telefonit merrnin pjesë në trafikimin e lëndëve narkotike. "Nga transkriptimet e bëra për këtë numër rezulton se përdoruesi i telefonit në muajin maj të vitit 2006 ka bashkëpunuar me të arrestuarin Roland Kaja, me qëllim trafikimin e lëndës narkotike të sekuestruar", thuhet në kërkesën për gjykim të prokurorisë. Po sipas saj, "pronari" i numrit ishte Baki Kapllani. Në lidhje me ngjarjen e datës 17 maj 2006, i pandehuri Baki Kapllani ka biseduar me Roland Kajën disa ditë para ngjarjes dhe në ditën e ngjarjes në lidhje me trafikimin e lëndës narkotike në drejtim të shtetit të Greqisë.