E Diel, 1 Nëntor 2026

Rregullorja e zgjedhjeve, rektorët "kokë a pil"

Zgjedhjet në universitete gjenden para disa vështirësive të krijuara pikërisht nga rregullorja. Kështu, nëse dy kandidatë për rektor, dekan apo shef katedre, dalin me numër të barabartë votash, fituesi zgjidhet me short. Por nuk është vetëm kjo, në asnjë nga nenet e rregullores nuk përcaktohet numri i votuesve për një qendër votimi, çka vendos në vështirësi komisionet zgjedhore për përcaktimin e kutive të votimit. Të gjitha këto probleme kanë lindur teksa ka nisur fushata zgjedhore dhe po krijohet infrastruktura. Kryetari i Komisionit Zgjedhor në Universitetin e Tiranës, Enver Roshi, i pyetur nga "Shqip", pranoi defektet e rregullores.

Sipas tij, KQZI ka mjaft vështirësi në menaxhimin e zgjedhjeve, pasi rregullorja, që është moderatori kryesor, ka disa pikëpyetje, apo mjaft nene kontradiktore. Një ndër to është edhe çështja e preferencës së kandidatëve për senatorë.

Duke u ndalur fillimisht te zgjedhja e drejtuesve të institucioneve të arsimit, mund të themi se ka një sërë pakënaqësish në rrethet akademike. "Rektor me ‘kokë a pil‘. Kjo është e çuditshme", të thonë profesorë të UT-së. Problemi më i madh është në ato katedra ku numri i votuesve është çift. Siç e përcakton rregullorja, shefi i katedrës zgjidhet vetëm nga profesorë të kësaj katedre. Por si do të zgjidhet fituesi, kur në këtë katedër janë 10 profesorë dhe është krejt e mundur që dy kandidatë të dalin me numër të barabartë votash. Në të gjithë vendin janë mbi 100 katedra që përballen me këtë vështirësi në zgjedhjen e autoriteteve.

Në nenin 9 të rregullores së zgjedhjeve, hartuar nga MASH, thuhet se "KQZI shpall fitues kandidatin për rektor të renditur të parin në listë, kandidatët për dekanë të renditur të parët në listat e KZF-ve, si dhe listat me përbërjen e organeve drejtuese, Senat Akademik dhe Këshill Administrimi. Nëse nga llogaritja e rezultatit të votimit kanë dalë dy ose më shumë kandidatë me pikë të barabarta, fituesi do të zgjidhet me short". Por një tjetër zemëratë është ndezur në rrethin e pedagogëve të rinj. Të gjithë profesorëve që kanë më pak se një vit pune në fakultet, nuk iu lejohet të votojnë. Kjo, sipas Roshit, është absurde për sa kohë rregullorja lejon të votojnë studentët e vitit të parë, që kanë vetëm tre muaj në fakultet dhe nuk lejon pedagogët me më pak se një vit punë. Në rregullore thuhet se "trupa zgjedhëse për përgjegjësin e një njësie bazë përbëhet nga personeli akademik i njësisë respektive, i cili është i punësuar me kohë të plotë dhe ka së paku një vit punë në atë njësi, referuar datës së shpalljes së fillimit të procesit zgjedhor". Lidhur me problemin tjetër të dalë nga implementimi i rregullores është edhe numri i qendrave të votimit. Normalisht duhet të kenë një rregull për ngritjen e tyre, ndaj kjo mbetet një çështje tjetër që kërkon zgjidhje.

Sipas rregullores së zgjedhjeve, "votimi bëhet në qendrat e votimit pranë fakulteteve. KZF-ja funksionon edhe si komision votimi në qendrën e votimit të fakultetit". Më tej, nga rregullorja, citojmë se "në rastet kur numri i votuesve, që vlerësohet nga KQZI-ja, është i madh dhe i papërballueshëm nga një qendër votimi, ajo në bashkëpunim me KZF-në vendos krijimin e një qendre të re votimi dhe përcakton numrin e votuesve sipas listave, vendndodhjen e qendrës, përbërjen e komisionit të votimit, si edhe elementë të tjerë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›