E Diel, 1 Nëntor 2026

Withers, në KLD për reformat në drejtësi

Ambasadori amerikan në Shqipëri, John Withers II, ka kryer takime pune me drejtuesit e Kontrollit të Lartë të Drejtësisë, mbi reformat në sistemin e drejtësisë. "Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, priti në zyrën e tij ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Withers II. Gjatë takimit u shkëmbyen një sërë opinionesh mbi reformat në sistemin e drejtësisë, me të gjitha sfidat që ajo përmban dhe rolin e rëndësishëm që Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të luajë në këtë proces, pasi reforma në drejtësi është një nga kriteret kryesore të përmbushjes së angazhimeve që janë ndërmarrë në kuadër të procesit të integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian", thuhet në njoftimin e KLD-së. Sipas saj, në këtë takim Spahiu prezantoi strategjinë dhe vizionin e ri që Këshilli i Lartë i Drejtësisë po ndërton për të kthyer në një kohë sa më të shkurtër besimin e publikut te drejtësia shqiptare. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, theksoi zoti Spahiu, është i vendosur që të luajë një rol aktiv dhe promovues të të gjithë komunitetit të gjyqtarëve në procesin e forcimit të shtetit të së drejtës.

"Ndër të tjera u vlerësua lart bashkëpunimi dhe kontributi shumë i çmuar ndër vite i palës amerikane, nëpërmjet financimit dhe mbështetjes së projekteve të ndryshme, në drejtim të përmirësimit të standardeve që duhet të reflektojë drejtësia shqiptare, bashkëpunim të cilin ambasadori Withers e konfirmoi edhe një herë gjatë këtij takimi", thuhet në njoftimin e këshillit.

Prej disa ditësh ambasadori amerikan në Shqipëri ka ndërmarrë një "tur" takimesh me institucionet e pavarura në Shqipëri, si dhe me institucionet e drejtësisë në vend. Withers ka takuar fillimisht Kryeprokuroren Ina Rama. Pas saj ka vijuar takimet me drejtorin e Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, me ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, me ministrin Bujar Nishani etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›