Sponsorët e "Tomorit", nën hetim edhe në Shqipëri
Sponsorët e ekipit të futbollit "Tomori" janë nën hetim edhe nga policia shqiptare, pavarësisht se janë arrestuar pak ditë më parë në Itali. Policia e Shtetit ka dhënë këtë përgjigje për homologët italianë, kur këta të fundit kanë kërkuar informacion për dy vëllezërit e arrestuar. Afrim dhe Ferdinand Keli. Menjëherë pas arrestimit të tyre, policia italiane i është drejtuar policisë shqiptare, ku është kërkuar informacion mbi këta dy persona. Nga verifikimi i dosjeve ka rezultuar se ata hetohen edhe në Shqipëri, por grupi hetimor nuk ka bërë të ditur shumë detaje se për çfarë akuze dyshohen dy të arrestuarit. Burime nga Policia e Shtetit kanë bërë të ditur se kanë zhvilluar hetime në lidhje me pasurinë e vëllezërve Keli, sponsorë të ekipit të futbollit "Tomori", por nuk kanë bërë ndonjë hap më tej në lidhje me pasurinë e tyre. Burime nga institucioni i mësipërm kanë deklaruar se ka një dosje, por problemi më i madh është identifikimi i pronave të vëllezërve beratas, pasi kanë blerë prona të paluajtshme në disa rrethe të vendit. Gjithçka ka nisur me operacionin e policisë italiane disa ditë më parë, që ka vënë në pranga 61 persona, mes të cilëve dhe shqiptarë. Gjatë hetimeve të uniformave blu, ka dalë se dy prej të arrestuarve, vëllezërit Keli, me anë të parave të drogës që fitonin në Itali, sponsorizonin një ekip futbolli në Shqipëri, i cili ishte "Tomori" i Beratit. Policia e Shtetit ka qenë e interesuar në lidhje me këto arrestime, ndërkohë që nuk ka vonuar dhe kërkesa e policisë italiane për kërkim informacioni në lidhje me të arrestuarit dhe personat e afër të tyre që ndodhen në vendin tonë. Për policinë nuk ka qenë e vështirë dhënia e informacionit, pasi në lidhje me të arrestuarit dhe personat e tyre të afërt ekzistonte një dosje e bërë gati me të gjitha faktet që gjatë kohëve të fundit ishin mbledhur nga uniformat blu shqiptare. Operacioni i policisë italiane ishte i përqendruar në rrjetin ndërkombëtar të trafikut të drogës dhe shfrytëzimit të femrave për prostitucion. Ishte televizioni "RAI" që bëri të ditur faktin se dy prej të arrestuarve, Afrim dhe Ferdinand Keli, ishin vëllezërit e presidentit të ekipit të futbollit, "Tomori".