E Diel, 1 Nëntor 2026

Interi triumfon në derbi, kuqezinjtë mbeten në -25

Interi nuk ndalet më. Zikaltërit kanë dhënë dje një tjetër provë force, duke fituar 2-1 në derbin ndaj Milanit, falë një përmbysje spektakolare të rezultatit. Skuadra e Mançinit u gjet në disavantazh në pjesën e parë, por arriti të reagojë duke barazuar dhe më pas vulosur fitoren, falë edhe gafës së radhës të portierit Dida, që gaboi në gjuajtjen e Kambiasos. Jo rastësisht, i gjithë publiku zikaltër e falënderoi atë gjatë minutave të fundit të takimit për dhuratën e Krishtlindjeve që shpalli Interin "kampione të dimrit".

Pritej një ndeshje e madhe, pasi përballë viheshin Interi dominues i kampionatit italian dhe Milani dominues i botës, pas suksesit në Botërorin e Klubeve. Jo rastësisht ndeshja ndizet që në minutat e para, ku nuk u kursehen ndërhyrjet e ashpra nga të dyja palët, si dhe rastet para portave respektive. Por për të sigluar golin e parë mendon një "ish", Andrea Pirlo, i cili me një goditje dënimi të kalibruar nuk i lë kohë të reagojë portierit Hulio Sezar, duke kaluar në avantazh Milanin. Interi shtyn përpara dhe me forcë arrin të gjejë golin e barazimit në minutën e 36-të, kur Kruz, i rrethuar në zonë nga mbrojtësit kuqezi, lëshon një gjuajtje të pakapshme për Didën. Me rezultatin 1-1 shkohet në pushimin e ndeshjes, ndërsa Ançeloti detyrohet të bëjë dy ndryshime në formacion për shkak të dëmtimeve të Gatuzos e Inzagit, duke aktivizuar Emerson dhe Xhilardinon. Por këta të fundit duket qartë se nuk janë në formën më të mirë dhe si rrjedhojë është Interi që kontrollon lojën dhe i afrohet disa herë golit të avantazhit. Për të ndihmuar zikaltërit mendon Dida, që i shton një tjetër "perlë" koleksionit të tij të gafave në momentet deçizive. Portieri brazilian llogarit gabim trajektoren e gjuajtjes qendrore të Kambiasos dhe sheh topin të përfundojë në rrjetë pas krahëve të tij, ndërsa Interi feston avantazhin 2-1. Pavarësisht tentativave të kuqezinjve në minutat e fundit me Ambrozinin e Kaka, asgjë nuk ndryshon dhe zikaltërit i gëzohen fitores së tretë radhazi në derbi, që i çon ata në +7 nga Roma e vendit të dytë dhe +25 nga kushërinjtë. Ndërsa Milani duhet të mendojë sa më parë për të ndryshuar diçka në një skuadër që tashmë është bërë e lexueshme nga të gjithë në Serinë A dhe që rrezikon të mos arrijë as objektivin minimal të renditjes mes katër të parave për të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve. Kuqezinjtë janë 11 pikë larg Udinezes së vendit të katërt dhe duhet të shpresojnë në gabimet e kësaj të fundit për të marrë pjesë në turneun e rëndësishëm në sezonin e ardhshëm. Ndërkohë, vazhdon marshimi i qetë i Juventusit që ka kaluar pa probleme Sienën, falë golave të Salihamixhiç dhe Trezege. Bardhezinjtë janë të tretët në renditje dhe duket se bashkë me Romën janë të vetmet skuadra që mund të shqetësojnë pak Interin në luftën për titull.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›