E Diel, 1 Nëntor 2026

Pendimi i Nard Ndokës për 6 të përjashtuarit e PS

Pendohet Nard Ndoka. Kryetari i PDK-së, njëkohësisht ministër i Shëndetësisë, Nard Ndoka, ka ndryshuar qëndrim për sa u përket 6 të përjashtuarve nga Partia Socialiste pas votimit të nënkryetarit të PD-së për President të Republikës. Gjashtë muaj më parë, ministri Ndoka ka pohuar se nuk do t‘i pranojë këta deputetë pranë PDK-së duke cituar se "Janë me virus, nuk i duam". Vetëm 6 muaj më vonë, kreu i demokristianëve është shprehur se dera e partisë së tij është e hapur për këta deputetë. "Kalimi i tyre te PDK është pozitive, pasi ata kanë kontribuar për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, duke shpëtuar vendin nga kriza", tha Ndoka. PDK është një parti me program të qendrës së djathtë, ndërkohë që skenari i kryetarit të saj është shtimi i deputetëve brenda partisë së tij, në mënyrë që PDK të ketë më shumë vota në Kuvend. Nga ana tjetër, ish-kryetari i PDK dhe kryetari i Lëvizjes Demokristiane e ka krahasuar partinë demokristiane si pazarin e Milotit për lojën e saj të vazhdueshme për shtimin e deputetëve. Gjithsesi, kryesia e PDK bën me dije se kalimi i deputetëve të majtë te Partia Demokristiane është një variant që është ende në diskutim e sipër dhe asgjë nuk është vendosur përfundimisht. Nga ana tjetër, deputetët e PS kanë kundërshtuar kalimin e tyre drejt PDK, duke bërë me dije se do të vazhdojnë t‘i përkasin së majtës. Po kështu, ministri Ndoka ka hedhur akuza ndaj Partisë Demokratike për shkak se po përpiqet të shkatërrojë imazhin e PDK-së. Ndoka ka pranuar ekzistencën e grupimeve brenda Partisë Demokratike duke u shprehur se "grupe të caktuara brenda Partisë Demokratike po cenojnë partinë Demokristiane. Ndërkohë që për sa u përket ndryshimeve në qeveri, demokristianët kanë shtuar kërkesat ashtu siç po përpiqen të shtojnë edhe deputetët. "Qeveria po funksionon, por nëse do të bëhen ndryshime nga Kryeministri Berisha, PDK do të jetë në qeveri me dy ministra", tha kreu i demokristianëve dhe njëkohësisht ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka. Ministri Ndoka, së shpejti gëzon një vit në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, megjithatë pohon se qeveria deri në këto momente ka qenë e suksesshme dhe nuk ka vend për ndryshim, por nëse kjo është një strategji e Kryeministrit Berisha, Ndoka pohoi se atëherë PDK do të kërkojë dy poste ministrore në kabinet. Ministri i Shëndetësisë nuk ka bërë me dije se cilin post do të zgjedhë tjetër, ndërkohë që vlen të theksohet se marrëveshja e nënshkruar mes PD dhe PDK në zgjedhjet e 18 shkurtit nuk është zbatuar në mënyrë korrekte nga Partia Demokratike. Aktualisht, PDK përfaqësohet në kabinetin qeveritar me një ministër dhe dy zv/ministra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›