E Diel, 1 Nëntor 2026

PBDNJ, kundër rritjes së pragut

PBDNJ kundër rritjes së pragut elektoral. Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, ka bërë me dije dje se ndryshimi i pragut elektoral ngushton demokracinë. "Këto nuk mund të bëhen thjesht se kanë dëshirën dy forcat e mëdha politike", tha ai. Edhe për reformën zgjedhore, kryetari i PBDNJ-së fajëson qeverinë dhe opozitën. "Mungesa e nismave elektorale, do të sjellë probleme si ato që ndodhën në 2005 dhe në 2007 me certifikatat. Duhet t‘i largohemi procesit të administrimit të votës, pasi ai nuk është politik. Klasa politike duhet të ndjekë disa parime morale që në shoqëri janë më të zhvilluara sesa në politikë", tha Dule. Në lidhje me ndryshimet në qeveri, Dule u shpreh se "ndryshimet në qeveri do të bëhen shumë shpejt. Mos kërkoni ju që Berisha të komunikojë tre muaj përpara për ndryshimet. Një Kryeministër flet për ndryshimet në qeveri, vetëm nëse ato i ka bërë fakt". PBDNJ është e para parti që ka ndezur polemikën mbi ndryshimin e kabinetit qeveritar dhe beson se këto lëvizje do të bëhen së shpejti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›