E Diel, 1 Nëntor 2026

Hero në Kroaci, kriminel në Hagë

Tre ish-gjeneralë kroatë kanë dalë përpara Gjykatës së Hagës të akuzuar për persekutim dhe vrasje të kroatëve serbë në vitet 1990. Ante Gotovina, Ivan Cermak dhe Mladen Markaç, mohuan akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë persekutimin, vrasjen dhe plaçkitjen. Arrestimi i Gotovinës në ishujt Kanarie, në vitin 2005, ngjalli protesta në Kroaci, ku shumëkush e konsideron atë një hero. Gjyqi në Hagë pritet tani të zgjasë për më shumë se një vit. Të tre të akuzuarit konsiderohen si aktorë kryesorë në operacionin "Stuhia", një ofensivë tremujore që u zhvillua në rajonin lindor të Kroacisë, Krajina, në 1995-ën. Në akt-padinë e hartuar që në 2001-shin, thuhet se ata kanë planifikuar spastrimin etnik të serbëve nga Republika e vetëshpallur. "Ky gjyq bazohet tek eliminimi me forcë i serbëve të Krajinës nga Kroacia dhe shkatërrimin e komuniteteve të tyre në gusht 1995, si edhe mbi rolin dhe përgjegjësinë e gjeneralëve në këtë proces", tha prokurori Alan Tieger në deklaratën hyrëse. "Komuniteti serb ishte një shkretëtirë e trembur fshatrash dhe shtëpish të shkatërruara. Kjo çështje është nisur kundër tre personave që ishin autorë të këtyre krimeve". Ante Gotovina, një ish-anëtar i Legjionit të Huaj Francez, akuzohet si përgjegjës për vrasjen e rreth 150 serbëve dhe persekutimin e deportimin e mijëra të tjerëve. Rreth 200 mijë serbë, shumica të moshuar, u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre gjatë ofensivës. Të tre të akuzuarit, që u deklaruan të pafajshëm, u ulën krah për krah në gjykatë, ndërsa prokurori Tieger po parashtronte rastin. Gotovina ka kaluar katër vite në arrati para se të arrestohej në një hotel në ishujt Kanarie të Spanjës, në 2005-ën. Ditët e para në gjykatë po transmetohen në Televizionin Kombëtar Kroat, ku edhe ky proces po cilësohet si "gjyqi i shekullit". Në fakt, pas fushatës së vitit 1995, kur ushtria kroate, e udhëhequr nga Ante Gotovina, rimori provincën e vetëshpallur të pavarur të Krajinës, gjenerali kroat u prit si një hero. Madje, edhe Presidenti i atëhershëm i Kroacisë, Franjo Tuxhman, përgëzoi gjenerali Gotovina për arritjen e tij. Avokati i Gotovinës tha se klienti i tij i kishte dhënë fund luftës në Bosnjë e Kroaci dhe kishte luftuar kundër ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç. Mbrojtja argumenton se Gotovina meriton lëvdata dhe jo një aktpadi për krime. Edhe sot, shumë njerëz në Kroaci e konsiderojnë Gotovinën si hero, të tjerë mendojnë se e ardhmja evropiane e Kroacisë nuk duhet dëmtuar nga fati i një njeriu të vetëm. Më shumë se 130 dëshmitarë pritet të thirren në proces për të rrëfyer ngjarjet e asaj kohe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›