Holokausti, maksi-dëmshpërblim për të mbijetuarit e tmerrit
Komisioni për Dëmshpërblimin e Komunitetit Hebraik të Belgjikës, një organizëm i përzierë, i përbërë nga qeveria dhe bankat, ka vendosur të akordojë një fond prej 110.6 milionë eurosh si shpërblim për të mbijetuarit e Holokaustit, familjet e viktimave dhe komunitetin hebraik për dëmet e shkaktuara gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nga kjo shifër, 35.2 milionë do t‘i shkojnë familjeve, ndërsa 75 milionë do të derdhen në llogarinë e Fondacionit të Hebraizmit në Belgjikë. Pranë qeverisë së Brukselit ishin paraqitur mbi 5 mijë kërkesa individuale nga ana e të mbijetuarve të Holokaustit. Lajmi i miratimit të këtyre kërkesave është dhënë nga Presidenti i Komisionit për dëmshpërblimin, Lysien Bujse, dhe nga një përfaqësues i Kryeministrit belg, Gai Verhofshtad. Bujse ka shpjeguar gjithsesi se në shumë raste, komisioni është përballur edhe me mungesën e të mbijetuarve mes atyre që kishin kërkuar dëmshpërblim për persekutimin e hebrenjve gjatë pushtimit nazist dhe ka konstatuar pamundësinë e procedimit në rrethana të tilla për shpërblime individuale. Si përfundim, ka vendosur që 75 milionë eurot e mbetura të derdhen në llogarinë e Fondacionit të Hebraizmit, në Belgjikë, për aktivitetet e tij kulturore, sociale dhe fetare, të destinuara për komunitetin hebraik. Paratë do të jenë kështu një mënyrë për të kompensuar hebrenjtë e Belgjikës, pronat e të cilëve u vodhën gjatë pushtimit gjerman në Luftën e Dytë Botërore. Rreth 25 mijë hebrenj të Belgjikës u përndoqën dhe u persekutuan gjatë Holokaustit. Sipas shefit të Komisionit të Dëmshpërblimit, fondet e miratuara nga qeveria nuk ishin në fakt një kompensim moral, por material. Tani, të gjithë ata që kanë paraqitur kërkesa për dëmshpërblim dhe kanë marrë miratimin, do të përfitojnë nga disa qindra euro deri në 25 mijë euro, duke kompensuar kështu humbjen e stolive, aseteve e pronave të vjedhura. Vetë hebrenjtë e Belgjikës e kanë mirëpritur kompensimin, por disa prej tyre kanë këmbëngulur se duhet bërë akoma më shumë për të ekzaminuar rolin e shtetit belg në persekutimin e hebrenjve, nën pushtimin gjerman, nga 1940-1944. Vitin e shkuar, Kryeministri belg, Gai Verhofshtad, kishte kërkuar ndjesë në emër të autoriteteve të vendit, për përfshirjen në deportimin e hebrenjve në kampet naziste të përqendrimit.