SHBA, edhe njëherë në shënjestër Rusinë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vunë nën shënjestër Rusinë të martën, për shkak të performancës së saj në fushën e të drejtave të njeriut, duke akuzuar qeverinë për korrupsion, presion mbi mediat dhe abuzim në zgjedhje, ndërsa forcat ruse të sigurisë për vrasje dhe tortura. Në raportin e përvitshëm, që mbikëqyr të drejtat e njeriut në më shumë se 190 vende, Departamenti Amerikan i Shtetit kritikon gjithashtu edhe "shënjestrat" e përhershme të tij, Pakistanin, Afganistanin, Korenë e Veriut, Iranin, Sudanin, Kinën, Nepalin, Sirinë dhe Zimbabvenë. "Vendet në të cilat pushteti ka qenë i përqendruar në duart e sundimtarëve të pashpjegueshëm mbeten dhunuesit më sistematikë të të drejtave të njeriut në botë", thuhet në raport. Duke detajuar dhunimet e të drejtave të njeriut në Rusi, raporti citon shumë abuzime të qeverisë, por edhe trupave të tjera përgjatë 2007-ës. Përqendrimi i vazhdueshëm i pushtetit në degët e ekzekutivit krijon qeveri hermetike, që godasin partitë e opozitës. Zgjedhjet e dhjetorit, për Dumën shtetërore, u shoqëruan nga probleme të shumta gjatë fushatës zgjedhore, por edhe në ditën e votimit. "Forcat e sigurimit mësohet se janë përfshirë në vrasje, tortura, abuzime, dhunime dhe të tjera sjellje brutale apo poshtëruese, shpesh pa u dënuar", thuhet në raport në kapitullin e Rusisë. E ndërsa kritikon Kremlinin, Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se është i ndërgjegjshëm edhe për kritikat që bota i drejtonte Amerikës në këtë fushë. Ka pasur në të vërtetë stuhi kritikash në lidhje me trajtimin e të dyshuarve si terroristë të mbajtur në bazën ushtarake amerikane në gjirin e Guantanamos. "Qeveria amerikane do të vazhdojë të dëgjojë dhe t‘u përgjigjet drejtpërsëdrejti shqetësimeve në lidhje me praktikat tona, përfshirë edhe aksionet që ne kemi marrë për të mbrojtur vendin tonë nga kërcënimi global i terrorizmit", thuhet në raport. Por, mrekullia më e madhe në raportin e këtij viti është mungesa e Kinës në listën e vendeve që kryejnë edhe dhunimet më të mëdha të të drejtave të njeriut. Raporti vjen në vitin e Lojërave Olimpike në Pekin, por gjithsesi kujton disa "hije" të vendit aziatik. Në fakt, Kina vazhdon t‘i mohojë popullatës së saj të drejtat themelore të njeriut dhe siç denoncohet në dokument, vazhdon të torturojë të burgosurit.