Odiseja e kartave të identitetit
Kartat e reja të identitetit për shqiptarët rrezikojnë të pësojnë fatin e kartave të mëparshme që dolën nga qarkullimi. Kryeministri Sali Berisha premtoi se, menjëherë pas ardhjes së tij në pushtet, shqiptarët do të pajiseshin me karta identiteti. Premtimin po e mban. Më 28 shkurt do të zhvillohet tenderi për kartat e reja të identitetit. Këtë e deklaroi vetë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. Karta e identitetit do të ketë të dhënat bazë të mbajtësit dhe një numër identifikues i pandryshueshëm deri në vdekje për qytetarin. Kartat do të vlejnë jo vetëm për proceset zgjedhore, por do të jenë dhe si përmbushje e detyrimeve që ka Shqipëria në lidhje me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në. Pas shumë premtimesh, u vendos që ky proces do t‘i jepet me koncesion kompanisë që do të ofrojë kushtet dhe kriteret më të leverdishme. Karta do të përdoret nga qytetarët për të identifikuar vetveten, kur bashkëveprojnë me agjencitë qeveritare, organizatat tregtare dhe institucione të tjera. Dokumenti i identitetit do të jetë një sistem i sigurt dhe modern për identifikimin e qytetarëve shqiptarë. Me premtime jemi në rregull, por a janë gati njësitë bashkiake në vendin tonë për të regjistruar të gjithë popullsinë e për ta pajisur ma karta identiteti? Njësitë bashkiake në Tiranë konfirmojnë se një gjë e tillë është ë pamundur, sepse të paktën në Tiranë mungojnë adresat e sakta të popullatës, mungon regjistri themeltar, në lista figurojnë rreth shtatëmijë të vdekur, që figurojnë të gjallë dhe akoma nuk janë legalizuar zonat informale.
Këto nuk janë kartat e para që prodhohen për shqiptarët. Disa vjet më parë u prodhuan në Kanada karta identiteti për 20% të shqiptarëve. Të gjitha dolën skarco, edhe pse u harxhuan 6 milionë USD. Megjithëse kishin 12 elemente sigurie, ato mbetën nëpër kosha, për shkak se regjistrimi i popullsisë u bë me gabime shumë të mëdha. Këto karta sot ndodhen në bodrumet e ish-Pallatit të Kongreseve. Në fillim të korrikut 2004, në ekranet televizive u shfaq ish-ministri i Pushtetit Vendor, Ben Blushi. Ai tha se qeveria socialiste do të prodhonte me 6,5 milionë euro kartën e identitetit. Ato do të zëvendësonin edhe letërnjoftimet e vjetra dhe do të përdoren për votime nga qytetarët. Për këtë qëllim do të organizohej një tender ndërkombëtar.
Kjo ishte hera e dytë që bëhej përpjekja për prodhimin e kartave të identitetit. Në vitin 2000, PNUD siguroi për qeverinë shqiptare 6 milionë dollarë për të prodhuar karta identiteti. Kartat do të përdoreshin edhe për votime. Ato u prodhuan në Kanada. Në shtator të vitit 2000, me karta identiteti u pajisën 20% e votuesve. Nuk u përdorën as më 1 tetor 2000 e as më 24 qershor 2001. Nuk mund të përdoren as në të ardhmen, sepse janë prodhuar me gabime ortografike!
Ministria e Pushtetit Vendor organizoi tenderin në pranverën e vitit 2002. Fitues doli Qendra e Evidencës Kontabile. Kjo qendër nuk kishte përvojë. Nuk kishte më shumë se 3-4 kompjuterë. Nuk kishte në punë më shumë se 10-15 punonjës. Pasi fitoi tenderin me 6 milionë USD, Qendra e Evidencës bleu rreth 150 kompjuterë dhe mori në punë si provizore rreth 150 vajza të reja. Meqë vajzat ishin pa përvojë, modelet e kartave të identitetit dolën me shumë gabime ortografike. Si rrjedhojë, kur u dërguan dhe u prodhuan në Kanada, dolën skarco. Sot, godina e kësaj qendre është pothuajse e shkatërruar. E ka mbytur bari dhe pisllëku.
Deklaratat
Lulzim Basha
Përgjegjës i Qendrës Informatike në Tiranë
Përgatitja e këtij procesi është bërë nga njerëz joprofesionistë dhe ky informacion nuk ishte në nivelin e duhur. Informacioni u mor nga tri burime të ndryshme dhe e bëri më shumë kaotik. Ne do ta importojmë kartën. Mjafton të gjejmë një person ku do e blejmë. Problem është informacioni që do hedhim në kartë. Në rast se informacioni që do hedhim në kartë është i deformuar, atëherë i gjithë procesi është i dështuar.
Luzhiana Abazi
Kryetare e Njësisë Bashkiake Nr. 6 në Tiranë
Nuk ka fare adresa. Ka banorë në zonat informale që nuk kanë fare adresë, pra nuk ka një identifikim të sistemit të adresave.
Haki Mustafa
Kryetar i Njësisë Bashkiake Nr. 11 në Tiranë
Ka defekte si proces. Dihet që Lapraka është një nga zonat më informale të Tiranës. 75% është informale. Të gjitha familjet kanë një kod sot, që ka të përcaktuar pozicionin në lagje dhe identitetin e tyre. Presim një udhëzim të Ministrisë së Brendshme për unifikimin e sistemit të adresave.