Reali i Madridit, më i pasuri i sezonit 2006-‘07
Spanjollët e Realit të Madridit kryesojnë renditjen e klubeve më të pasura për sezonin 2006-‘07, sipas një raporti vjetor të hartuar nga kompania DLTE.UL. Madrilenët, që fituan kampionatin spanjoll gjatë edicionit të kaluar, kishin një rritje prej 20% të të ardhurave të tyre, që e çuan shumën e përfituar në 351 milionë euro brenda një sezoni. Në vendin e dytë është renditur Mançester Junajtid, i cili ka siguruar të ardhura prej 315 milionë eurosh gjatë edicionit 2006-‘07. Barcelona është renditur në vendin e tretë të listës së të pasurave, e ndjekur nga Çelsi dhe Arsenali të cilët kanë bërë hapa gjigandë në vitet e fundit. Sipas studimit, klubet angleze kanë pasur një rritje të ndjeshme për shkak të stadiumeve të reja që kanë ndërtuar, ndërsa me rritjen e të ardhurave nga e drejta televizive do të kenë shumë shpejt mundësinë që t‘i afrohen dhe më pas të kalojnë Realin.