Ngarkesa e teksteve të shkollave, ankohen nxënësit
Librat janë voluminozë, me terma e koncepte të pakuptueshme. Edhe mësuesit i cekin përciptas. Kështu, thesi i padijes rritet çdo ditë. Një fenomen i tillë shqetëson mjaft shkollat e mesme të vendit. Gjatë një vëzhgimi në gjimnazet e kryeqytetit mësuam se një ndër arsyet që nxënësit braktisin orët e mësimit është edhe fakti se nuk arrijnë dot të asimilojnë mësimin. "Kam ardhur pa detyra dhe sa të marr katër, më mirë marr mungesë", thotë një nxënëse te shkolla "Petro Nini Luarasi". Mbase ky refren është i njohur nga të gjithë, pasi iu ka ndodhur të gjithëve. Por kur detyrat mbeten pa bërë nga padija, problemi është më serioz. Nxënësit nuk arrijnë të kuptojnë mësimin, nuk arrijnë të bëjnë detyrat dhe ikin nga klasa. Bojkoti është zgjidhja e vetme e tyre. Nga ana tjetër, mësuesit pranojnë se mjaft tema janë të vështira dhe nuk kapen brenda orëve të programuara. Pra i justifikojnë nxënësit në një farë mase. Sipas tyre, disa tema kanë nevojë për shtjellim më të detajuar, por edhe për orë praktike. E pyetur për këtë problem, drejtoresha e gjimnazit "Petro Nini Luarasi", Diana Kalemi, shprehet se "ka marrë disa herë ankesa nga nxënësit, se nuk mund të përvetësojnë mësimet". Por kjo, sipas saj, nuk është arsye për ta braktisur atë. Sipas saj, nxënësit janë të predispozuar të gjejnë pretekste për të lënë orët e mësimit dhe në këtë prizëm kanë përfshirë edhe vështirësinë e librave. Ndërkohë që shton se "në disa tekste janë bërë përmirësime dhe të tjera mbeten më problematike". Ndërhyrje kryesisht janë bërë për tekstet e profilit shoqëror, ndërsa ato natyror mbeten ende të vështira dhe të pakuptueshme. Kjo është ankesa e nxënësve, që kur vjen në grup bëhet edhe më e besueshme. "Kemi shumë vështirësi në lëndën e kimisë", thonë një grup nxënësesh që rrinë në oborrin e shkollës. Sipas tyre, disa tema janë fare të pakapshme dhe formulat që mësojnë janë kaq të shpeshta sa nuk arrijnë dot t‘i fiksojnë. Por mësimet e prapambetura krijojnë vështirësi për mësimet pasuese, duke u bërë kështu pengesë në vazhdimësi për nxënësit dhe njëkohësisht një arsye e mirëfilltë për bezdisje. Nëse i pyet të rinjtë për lëndët më të vështira, rendisin kiminë dhe gjuhën. Të dyja këto lëndë përmbajnë koncepte që duhet të rrinë gjatë me nxënësin për t‘u fiksuar. Por duke qenë se programi është i ngjeshur, ato duhet të kalohen me shpejtësi, ndaj nxënësit nuk i kapin, shpjegojnë mësueset. Nëse kohët e foljeve janë mësime me vijueshmëri, që nxënësit duhet të përqendrohen gjatë mbi to për t‘i fiksuar, në program janë parashikuar në afat të shkurtër kohor dhe ato i harrojnë sapo janë shpjeguar. Kështu shprehet një mësuese letërsie në Tiranë. Sipas saj, për temat e rëndësishme dhe me koncepte të reja duhet të ketë më tepër hapësirë.
INTERVISTA/ Suzana Tabaku, drejtore e Zhvillimit të Kurrikulës në MASH, tregon të rejat që do të ndodhin me librat e shkollës
Orët e lira në shërbim të temave abstrakte
Ndryshimi do të ndihet kur të nisë sistemi i ri 3-vjeçar në gjimnaze
Po, është e vërtetë që tekstet shkollore janë të vështira. Kështu është shprehur në një intervistë për "Shqip" drejtoresha e Kurrikulës në Ministrinë e Arsimit, Suzana Tabaku. Sipas saj, po merren disa masa, ndër to edhe shtimi i orëve të lira të mësimit për të ulur ngarkesën. Kjo do të thotë se mësuesit mund të përdorin këto orë për të ndarë ato tema që janë të vështira dhe nuk asimilohen brenda orëve të programit lëndor. Kjo mbetet vetëm një masë imediate, ajo çka e bën të prekshëm ndryshimin është sistemi i ri 9+3 vjeçar i arsimit parauniversitar. Për herë të parë sistemi i ri gjen terren në vitin shkollor 2008-2009. Tabaku shprehet: "Dokumenti politik i prezantuar nga grupi i punës pranë MASH parashikon kurrikulën e detyruar dhe kurrikulën obsionale për shkollat e mesme, kur shkolla të jetë trevjeçare. Në shtatorin e këtij viti, nxënësit e klasës së tetë hidhen në klasë të nëntë. Ndërsa në shkollë të mesme ata bëjnë tri vite.
A janë të mbingarkuara tekstet e shkollave të mesme?
Një nga problemet nga të cilat vuan arsimi shqiptar është mbingarkesa në tekstet shkollore, e cila shprehet në numrin e madh të faqeve, në numrin e madh të koncepteve që nxënësit duhen të marrin në një orë mësimi, apo në nivelin e vështirësisë së koncepteve që trajtohen në raport me moshën e tyre. Identifikimi i këtij problemi nga ankesat e nxënësve, të mësuesve, të prindërve; përmasat e tij të bartura në vite, bëjnë që ngarkesa e teksteve shkollore të jetë pjesë e reformës së MASH në arsimin parauniversitar. Në këtë drejtim, MASH ka përcaktuar një politikë të qartë, për të ardhur në tekste shkollore më të mira dhe më tërheqëse për nxënësit. Fillon kjo politikë e MASH në vitin 2005, kur me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Shkencës u ngritën grupet e punës lëndore dhe u përgatit "Udhëzimi për lehtësimin e ngarkesës mësimore të teksteve shkollore (në arsimin e mesëm të përgjithshëm)". Ky udhëzim merr në shqyrtim tekstet e lëndëve matematikë, fizikë, kimi, biologji, letërsi, histori, gjeografi, gjuhët e huaja dhe orienton mësuesit konkretisht për lehtësimin e tekstit, duke reduktuar konceptet e tepërta, materialet e konsideruara jo të domosdoshme etj.
Çfarë po bëhet për kurrikulat e reja?
Politika e MASH për uljen e mbingarkesës së teksteve u orientua duke pasur parasysh se ajo shkaktohet kryesisht për shkak të programit lëndor, i cili është bazal për hartimin e një teksti, ose për shkak të autorëve të teksteve. Në lidhje me programet lëndore, në vitin shkollor 2006-2007 u rishikuan, u ripunuan apo u hartuan programe të reja me fokus uljen e ngarkesës mësimore. Instituti i Kurrikulës dhe Trajnimit ndërmori një studim në lidhje me arritjen nga ana e nxënësit të objektivave mësimore të programeve, për 10 lëndë shkollore, në të gjitha nivelet e shkollimit parauniversitar. Në përfundim të këtij studimi, çdo specialist lëndor në IKT do të ketë bazën e të dhënave mbi objektivat mësimore që nuk janë arritur nga nxënësit dhe shkaqet e mosarritjes së tyre. Këto të dhëna do të mbahen në konsideratë në hartimin e kurrikulave të reja që do të hartohen së shpejti për shkollat e mesme, si dhe në rishikimin e kurrikulave të arsimit të detyruar. MASH po punon për hartimin e standardeve të reja lëndore të arsimit parauniversitar, ku po bëhet kujdes sidomos për të përcjellë për shkollat dhe mësuesit kërkesa të domosdoshme të formimit të nxënësve dhe respektim të veçorive të tyre moshore. Sigurisht që këto standarde do të jenë pjesë e paketës së ALTERTEKST-it, të detyrueshme për t‘u respektuar nga autorët e teksteve shkollore. Pjesë e reformës arsimore është rritja e numrit të orëve të lira në programet lëndore si për arsimin e detyruar dhe atë të mesëm, që përcjell ndikimet e veta pozitive në drejtim të uljes së mbingarkesës së nxënësve. Orët e lira bëjnë që një pjesë të orëve mësimore, që janë në funksion të lëndëve akademike, të kalojnë në orë mësimore në përputhje me nevojat dhe interesat e nxënësve. Në lidhje me autorët e teksteve, reforma ALTERTEKST është sistemi që ndikon në përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së teksteve për shkak të kritereve të vlerësimit të teksteve, ekzistencës së teksteve alternative, si dhe për shkak të konkurrencës në treg. Tekstet shkollore, të paraqitura nga shtëpitë botuese, përzgjidhen nga komisionet në bazë të një sistemi kriteresh me pikë, një pjesë e të cilëve ndikon drejtpërsëdrejti në ngarkesën e tekste. Mund të përmend kritere të tilla si: përputhja e përmbajtjes së tekstit me tematikën e programit lëndor; përmbushja e objektivave të programit lëndor në tekst; a është në përshtatje me moshën gjuha e përdorur në tekst; a është në përshtatje me moshën shkalla e vështirësisë; a është në përshtatje me moshën sasia e njohurive; a është teksti tërheqës për moshën e nxënësve etj. Konkurrenca e teksteve alternative po evidenton një fakt të rëndësishëm që lidhet me përmirësimin e cilësisë së teksteve dhe në këtë kuadër edhe përmirësimin e problemit të mbingarkesës. Nga tekstet alternative që MASH miraton për përdorim në shkolla, mësuesit janë ata që do të zgjedhin tekstin, të cilin e konsiderojnë më të pëlqyeshëm. Shtëpitë botuese janë të interesuara të dinë mendimet dhe vërejtjet e mësuesve për tekstet e tyre dhe përpiqen t‘i reflektojnë ato në botimet e vitit pasardhës. I gjithë ky proces ka filluar të japë impaktin e vet pozitiv në drejtim të uljes së ngarkesë së teksteve shkollore.
Si përfundim mund të them që teksti alternativ dhe krijimi i hapësirave kurrikulare për përdorimin nga mësuesit në shkolla të më shumë burimeve informative të të nxënit është një drejtim që hap pas hapi do japë ndikimet e veta pozitive në drejtim të mbingarkesës së nxënësve në mësim.
Çfarë do ndryshojë konkretisht me sistemin e ri 9 dhe 3-vjeçar?
Në sistemin 9 vjeçar: Në vitin shkollor 2008-2009, me klasën e 9-të që realizohet për herë të parë, mbyllet cikli i plotë i sistemit të ri të arsimit të detyruar 9-vjeçar. IKT ka filluar punën për të bërë vlerësimin e kurrikulës së re të sistemit 9-vjeçar dhe mbi gjetjet që do të dalin nga ky vlerësim, do të fillojë puna për rishikimin dhe përmirësimet kurrikulare. Një nga ndryshimet kurrikulare që mendohet se do të jetë më i rëndësishmi është që në arsimin e detyruar të trajtohet kurrikula e lëndëve të interuara. Në arsimin e mesëm: struktura e re e arsimit të mesëm që do të ngrihet mbi arsimin e detyruar 9-vjeçar, do të jetë 3 vjet për arsimin e mesëm të përgjithshëm dhe 4 vjet për arsimin e mesëm profesional. Në arsimin e mesëm të përgjithshëm me strukturën e re do të ketë dhe një reformë kurrikulare. Dokumenti politik i prezantuar nga grupi i punës pranë MASH parashikon kurrikulën e detyruar dhe kurrikulën obsionale, e cila do të jetë në shërbim jo vetëm të formimit të përgjithshëm, por edhe në shërbim të formimit specifik të drejtimit që nxënësi ka zgjedhur për të ardhmen.