E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita, Rama dhe Gjinushi "harrojnë" federatën

Edi Rama dhe Skënder Gjinushi duket të kenë harruar idenë e krijimit të federatës së majtë. Bashkimi mes Partisë Socialiste dhe Partisë Socialdemokrate nën një çati duket ende ide e parealizueshme. Drejtuesit e dy formacioneve nuk kanë gjetur akoma miratimin nga strukturat politike. Për herë të fundit, në muajt e verës, ky projekt u debatua në distancë nga pjesëtarët e koalicionit opozitar.

Heshtja

Kryetari i socialistëve, në muajin qershor, gjeti rastin të flasë hapur dhe për herë të fundit për projektet e së majtës. Ai u shpreh hapur për krijimin e një aleance të ngushtë në formë federate mes PS-së dhe PSD-së dhe me perspektivë shkrirjen në një parti të vetme. Në atë kohë, kjo ide u kundërshtua nga përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Bashkëpunimi në këtë stad mes këtyre dy partive është parë nga drejtuesit e LSI-së si hap që nuk do të sillte ndonjë ndryshim potencial të së majtës. Pavarësisht kontestimeve, partia e Metës ka deklaruar se nuk i intereson se çfarë bëjnë PS-ja dhe PSD-ja në raport me njëra-tjetrën. Drejtuesit e PDS-së dhe PAD-së kanë deklaruar se për një hap të tillë duhen marrëdhënie mirëbesimi që nuk ekzistojnë midis partive që bëjnë pjesë tek e majta. Kryesocialisti Rama nuk është bërë pjesë e debatit mes PSD-së dhe aleatëve të tjerë të majtë, ndonëse vetë replikoi me kreun e LSI-së, Ilir Meta, pikërisht për këtë çështje dhe "pickimet", siç i ka quajtur Rama, qëndrimet e të vegjëlve. Sakaq, kreu socialdemokrat, në qëndrimet e mëparshme, ka vënë në dukje se jo vetëm xhelozitë brenda opozitës, por edhe situata brenda vet Partisë Socialiste pengon krijimin e federatës.

Ideja

Iniciuesit e kësaj teze për krijim të federatës kanë rreshtuar tri shtylla mbi të cilat ndërtohet bashkëpunimi. Së pari paraqitet kushti i të pasurit programe sa më të ngjashme dhe pesë partitë i kanë njësoj. Së dyti duhet të kesh një vizion të përbashkët në perspektivë dhe vizioni i së majtës është socialdemokracia evropiane. Partia Socialiste dhe Partia Socialdemokrate janë anëtare të internacionales. Me anëtarësimin në perspektivë në Bashkimin Evropian këto parti do të jenë pjesë e një partie që është Partia Socialiste Evropiane. Një kusht i tretë është baza ku e majta dhe e djathta sot dallon më shumë nga shtresat që e votojnë se sa nga ideologjitë. Partitë tona të majta votohen nga i njëjti elektorat, të njëjtit individë dhe të njëjtat shtresa në tërësi që lëvizin herë te njëra e herë te tjetra.

Skema

Reforma e re zgjedhore mund të sjellë sërish idenë e krijimit të federatës mes socialistëve dhe socialdemokratëve. Rritja e mundshme e pragut zgjedhor në masën 4% mund të rrezikonte futjen në Kuvend të Partisë Demokracia Sociale, Partisë Socialdemokrate dhe Partisë Aleanca Demokratike. Të ndodhur në këtë situatë socialistët mund t‘u ofrojnë aleatëve mundësinë e futjes në një federatë paralelisht me rritjen e pragut kushtetues. Krijimi i këtij bashkimi PS-PSD mund të shpëtonte Gjinushin nga rreziku i mosfutjes në Kuvend. E vetmja që mund të pranojë të qëndrojë më vete edhe me pragun 4% është Lëvizja Socialiste për Integrim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›