Kosova, Tirana përshëndet qëndrimin e Brukselit
Shqipëria ka përcjellë me tone optimiste qëndrimin më të fundit të Bashkimit Evropian për statusin e Kosovës. Partitë politike dhe diplomacia kanë vlerësuar hapin e ndërmarrë nga Brukseli, duke këmbëngulur te pavarësia dhe krijimi i një shteti të ri në Ballkan. Ministria e Punëve të Jashtme përshëndeti dje vendimin e Këshillit të Sigurimit për dërgimin e Misionit Evropian të Politikës së Mbrojtjes dhe Sigurisë në Kosovë. Tirana zyrtare e konsideron atë një vendim të rëndësishëm politik, jo vetëm për të ardhmen evropiane të saj dhe të të gjithë rajonit, por dhe si një reflektim ndaj situatës së veçantë të historisë së fundit të Kosovës dhe natyrës unike të saj. Sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare në Lëvizjen Socialiste për Integrim, Brunilda Paskali, theksoi se ky vendim përbën një hap esencial drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës sipas planit "Ahtisaari". "Vendimi është një paralajmërim i qartë se Kosova është në radhë të parë çështje evropiane. Ai i paraprin diskutimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të statusit përfundimtar të Kosovës më datë 19 dhjetor", u shpreh ajo. Deputeti i Partisë Demokratike, njëkohësisht zv/president i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Aleksandër Biberaj, deklaroi se "ky është një vendim në përputhje të plotë me planin e Presidentit Ahtisaari, i cili parashikon për Kosovën një pavarësi të mbikëqyrur nga institucionet ndërkombëtare, që në rastin konkret do të bëhet nga BE-ja. Sipas tij, ky është një vendim i duhur, që merret në momentin e duhur dhe e çon Kosovën drejt pavarësisë në një periudhë të shkurtër kohore. Më tej, Biberaj nënvizoi se është shumë pozitive që nismës së Britanisë, Francës, Italisë dhe Gjermanisë iu bashkëngjiten edhe vendet e tjera anëtare të BE-së, pasi kjo çon drejt unifikimit të qëndrimit të BE-së ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës.