E Diel, 1 Nëntor 2026

PDR: Të ndryshojë Kushtetuta, Presidenti nga populli

Aleatët nuk dorëzohen përballë PD dhe PS. Ndonëse e ndjejnë veten të lënë pas dore nga dy polet e mëdha të politikës, ditën e djeshme kanë vazhduar sërish propozimet e të vegjëlve për ndryshimin e Kodit Elektoral. Këtë herë në diferencë nga më parë, vëmendja është përqendruar te mënyra e zgjedhjes së Presidentit të republikës. Numri dy i PDR-së, Tritan Shehu, ka rikthyer edhe një herë në vëmendjen e opinionit publik idenë për zgjedhjen e kreut të shtetit jo nga Kuvendi, por nga populli. "Nëse do të preket Kushtetuta për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, atëherë duhet të preket edhe mënyra e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, e cila duhet të bëhet me votë popullore. Këto dy elemente do të forconin demokracinë", tha Shehu. Nënkryetari i Partisë Demokrate Reformatore ka kërkuar mbledhjen urgjente të komisionit për reformën zgjedhore, duke u shprehur se "nëse komisioni nuk mblidhet, atëherë nuk ka ç‘të prodhojë". Sipas tij, për të kryer këto propozime nga PDR-ja, partitë politike dhe komisioni për reformën zgjedhore kanë kohën e mjaftueshme deri në zhvillimin e Samitit të Bukureshtit. "Komisioni për reformën zgjedhore duhet të mblidhet sa më parë, pasi vonesat në punën e tij vetëm vonojnë reformën", tha ai. Duke komentuar zhvillimet e fundit në politikën shqiptare, Shehu u shpreh se ka një tendencë nga ana e forcave të ndryshme politike, të cilat kanë propozuar për t‘u larguar nga ligji mazhoritar. "Unë do të thosha se është gjëja më e gabuar për sistemin zgjedhor shqiptar, largimi nga mazhoritari, pasi sa më shumë largohemi nga ky sistem, aq më shumë largohemi nga demokracia e vërtetë, aq më shumë largohemi nga tradita e fituar, dhe aq më shumë nga rruga ku po synojnë të shkojnë edhe vendet e tjera të zhvilluara", tha Shehu. Ai e cilësoi si një cenim të demokracisë dhe lirisë themelore të një vendi që pretendon anëtarësimin në BE dhe NATO, largimin nga sistemi mazhoritar, duke theksuar se "padyshim që mazhoritari mund të kombinohet me proporcionalin, por largimi nga ky sistem është cenim i demokracisë". Për sa i takon pragut elektoral, Shehu tha se problemi më i rëndësishëm është sistemi, pasi pragu është rrjedhojë e sistemit. "Nëse ne do të marrim sistemin mazhoritar të pastër, atëherë nuk ka nevojë fare për prag, ndërsa në kushtet e një sistemi të përzierë, që kemi aktualisht, ne duhet të diskutojmë për pragun përkatës", tha ai. Po të kthehemi tetë muaj më parë, do të rikujtojmë se në atë kohë politika shqiptare u ndodh përballë një vështirësie, e cila përsëritej një herë në pesë vjet, atë të zgjedhjes së Presidentit me 84 vota në Kuvend. Dështimi i tre raundeve njëri pas tjetrit rrezikoi vendin me zgjedhjet e parakohshme, derisa në një mënyrë apo në tjetrën u plotësuan numrat e votave për të mandatuar për pesë vjet një president të ri. Kjo situatë bëri që kandidatët për President të shtoheshin si kërpudhat pas shiut. Këtë herë ajo që po kërkojnë të gjitha forcat politike është ndryshimi i Kushtetutës për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, duke ia lënë në dorë popullit. Të parët që e rikthejnë në arenën politike pas tetë muajsh janë demokratët reformatorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›