E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha vlerëson ndryshimet në Kodin Penal, ku ndërtimet pa leje dënohen me burgim



Kryeministri Berisha ka vlerësuar, gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e djeshme të qeverisë, ndryshimet e realizuara në Kodin e Procedurës Penale. Kryeministri u shpreh se këto ndryshime do të bëhen për çështje të ndryshme dhe janë të domosdoshme për t’u ndarë njëherë e përgjithmonë nga fenomene të tilla si pushtimi i pronës së tjetrit, dhunimi i ligjeve të territorit, dhënia e fund e përdorimit të krahut të punës si skllevër apo nga fenomeni i abuzimit me ujin, energjinë etj. “Besoj se këto ndryshime në Kodin Penal do të kenë mirëkuptimin më të madh nga publiku shqiptar, forcat politike, do të jenë debat i diskutimeve të gjera në Parlament, por mendoj se ndryshimet i ka imponuar koha, e cila kërkon çdo ditë e më shumë Shqipëria nën ligj. Shqipëria e para, por nën ligj” - tha kryeministri.
Gjatë fjalës së tij Berisha përshëndeti dhe raportin e “Transparency International” për indeksin e perceptimit të korrupsionit në vend. Berisha tha se “Transparency International” e rendit Shqipërinë në krye të vendeve të rajonit në këtë luftë. “Transparency International botoi vlerësimin e saj në planin e luftës kundër korrupsionit të 180 vendeve të botës. Ajo është organizata më prestigjioze për vlerësimin e luftës kundër korrupsionit. Indeksi i saj është indeksi më serioz dhe i besueshëm në botë, i cili bazohet në një seri vlerësimesh. Transparency International e shpalli Shqipërinë në grupin e 10 vendeve me përpjekjet më serioze dhe rezultatet më konkrete në luftën kundër korrupsionit për vitin e vlerësuar. Transparency International shpalli se Shqipëria ishte në krye të vendeve të rajonit për reformat dhe rezultatet e tyre në luftën kundër korrupsionit. Transparency International shpalli se qeveria shqiptare është kampione në përpjekjet dhe luftën kundër korrupsionit në vend, se këto përpjekje dhe reforma kanë dhënë rezultate të qarta dhe se në Shqipëri po ndëshkohet korrupsioni”, - është shprehur kryeministri Berisha.

25 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›