Trafikantët ngecin në "rrjetën e gjelbër"
Në vijim të operacioneve të koduara "rrjeta e gjelbër", të shtunën janë arrestuar në territorin e Kakavijës dy trafikantë të emigrantëve klandestinë nga Gjirokastra dhe një person në kërkim nga Lezha. Në pranga ka rënë Blerim Rondo, 28 vjeç, nga qyteti i Gjirokastrës, për të cilin policia dispononte informacione se ishte pjesë e një trafiku të mirorganizuar të qenieve njerëzore drejt shtetit grek. Ai u ndalua nga patrullat në aksin rrugor Jorgucat-Kakavijë, kur udhëtonte me mjetin e tij tip "Hundai" me targa AC449ZP, me tri femra dhe një fëmijë nga rrethi i Beratit, të cilët do t‘i kalonte në mënyrë të paligjshme drejt shtetit grek, kundrejt pagesës 1700 euro për person. Në vijim të operacionit është arrestuar edhe shtetasi Thanas Kocaqi, 31 vjeç, lindur dhe banues në Kutalli të Beratit, pasi edhe ky rezultonte i përfshirë në të njëjtin rrjet trafiku. Ndërkohë, në pikën e kalimit kufitar u arrestua Tonin Fizi, 31 vjeç, lindur dhe banues në Sukagji të Lezhës. Fizi ishte person i shpallur në kërkim nga policia e Lezhës.