E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastra, bastioni i të majtëve që po ringjallet nën ombrellën e PD-së

Gjirokastra nuk ka më hemorragji. Kryetari i Bashkisë, Flamur Bime, thotë se qytetit po i kthehet shpresa dhe kjo ka ndaluar largimin e gjirokastritëve drejt kryeqytetit. Në një intervistë për gazetën "Shqip", në fund të vitit të parë të mandatit të tij të ri në krye të Gjirokastrës, kryebashkiaku socialist tregon se marrëdhëniet me qeverinë e djathtë kanë qenë të mira, por ndërsa nuk gjen kritika për Kryeministrin dhe ministrin e Kulturës, nuk e kursen deputetin e zonës, ministrin e Ekonomisë, Genc Ruli.

Zoti Bime, çfarë konsideroni si suksesin dhe dështimin tuaj gjatë periudhës 4-vjeçare në krye të Bashkisë së Gjirokastrës?

Suksesi më i madh është rikthimi i besimit te qytetarët gjirokastritë, se Gjirokastra është një nga mrekullitë turistike më të rëndësishme shqiptare dhe se në këtë qytet ia vlen të jetosh dhe të ndërtosh të ardhmen. Ky besim duket se po i jep fund largimit të njerëzve dhe po rikthen shpresën. Paralel me këtë proces, prej katër vitesh ka nisur edhe ringritja e madhe e Gjirokastrës, ndërtimi i pothuaj krejt infrastrukturës, pranimi në UNESCO, sfidat e krijimit të industrisë së turizmit dhe menaxhimi i tij, etj. Ndërsa do të shprehja keqardhjen time për nivelin e pamjaftueshëm të të kuptuarit prej qeverive shqiptare mbi vlerat unikale të Gjirokastrës, si një nga shenjat më sublime e të dallueshme të identitetit kombëtar.

Gjirokastra, dikur qyteti i kadilerëve, a ka sot të varfër?

Në fakt kënga thotë kështu: "Moj Gjirokastra me vulë/ me mendje e para shumë". Jemi në vitin 2008 dhe tashmë të gjithë i njohim rrethanat historike të 60 viteve të fundit dhe të sjelljes me pronën private. Gjirokastra është një qytet që nuk është ndërtuar prej të varfërve apo prej të papunëve. Të ndërtosh sot një shtëpi gjirokastrite tre apo katër kate, me të gjithë aksesorët përbërës të arkitekturës, zbukurimet dhe ornamentet e duhura është tejet e kushtueshme ose e pamundur. Ata që e kanë ndërtuar në vite kanë qenë shumë të pasur e patjetër siç thotë kënga edhe të zgjuar. Sot janë rrethana të tjera social-ekonomike. Edhe Gjirokastra ka mjaft papunësi, madje mund të thuash më tepër se çdo qytet apo zonë tjetër. Por "valvula shkarkuese" për papunësinë në Gjirokastër mbetet emigracioni. Kakavija është vetëm 28 km larg qytetit, ndërkohë që gjirokastriti është mjaft punëtor e duarartë. Ne trajtojmë me asistencë ata që vërtet kanë nevojë dhe e kanë të pamundur të gjejnë një punë, por në Gjirokastër asistenca nuk është krenari. Gjirokastriti e ka për turp asistencën.

Pushteti qendror i përket mazhorancës së djathtë. Pushteti vendor në Gjirokastër është i mandatuar dhe administrohet nga e majta. E konsideroni këtë si një favor apo pengesë për realizimin e programit?

Nuk e konsideroj as "fatkeqësi" dhe as shans të humbur, por një normalitet të demokracisë. Raportet e ndërtuara janë ligjore, institucionale dhe aty ku konceptet e mësimet e demokracisë janë asimiluara më mirë, këto raporte janë edhe më të ngushta e bashkëpunuese. Parimi mbi të cilin unë ndërtoj raportet e bashkëpunimit është interesi për Gjirokastrën dhe qytetarët e saj. Kushdo që mbështet, promovon dhe investon për Gjirokastrën dhe qytetarët e saj, është i mirëpritur dhe ka hapësirat e nevojshme për bashkëpunim dhe investim.

Cilat janë marrëdhëniet me hallkat e tjera të strukturave të qeverisjes vendore apo me agjencitë shtetërore dhe drejtoritë rajonale me varësi vertikale nga qeveria e djathtë?

Marrëdhëniet nuk janë private, por institucionale, pasi unë përfaqësoj votën, besimin dhe taksat që paguajnë qytetarët për shërbime dhe standard jetese. Në këtë këndvështrim, unë përpiqem të bëj më të mirën, të gjej zgjidhjet e duhura, të realizoj objektivat e bashkisë, si dhe të realizoj kërkesat e qytetarëve për shërbime e krijim të kushteve për jetesë sa më të mirë.

Marrëdhëniet tuaja me Kryeministrin Berisha, deputetin e zonës Genc Ruli dhe ministrin e TKRS, Ylli Pango, janë marrëdhënie politike, institucionale, apo individuale?

Zoti Berisha është Kryeministri i Shqipërisë dhe sipas Kushtetutës unë nderoj dhe respektoj Kryeministrin e vendit tim. Berisha e ka vizituar Bashkinë e Gjirokastrës, ndërkohë që për probleme të investimeve, decentralizimit të pushtetit dhe të ecurisë së projekteve për Gjirokastrën, e kam takuar disa herë. Kryeministri ka premtuar konkretisht dhe mjaft për Gjirokastrën. Disa prej këtyre premtimeve ka nisur t‘i realizojë, për të tjerat jemi në pritje. Po kështu, marrëdhënie mjaft korrekte dhe bashkëpunuese kam edhe me ministrin Ylli Pango, i cili sipas meje po e vlerëson ashtu si duhet Gjirokastrën dhe qenien e saj në UNESCO. Ndërsa për ministrin e Ekonomisë, Genc Ruli, sërish mund të thuhet se marrëdhëniet janë korrekte, por besoj se shpreh edhe opinionin e qytetarëve gjirokastritë që si ministër i Ekonomisë ka bërë fare pak për Gjirokastrën.

Turizmi

"Progresi i bërë nuk na kënaq"

Bashkia e Gjirokastrës e ka përcaktuar si prioritetin kryesor të zhvillimit ekonomik të qytetit ngritjen, promovimin dhe zhvillimin e turizmit. "Ne po krijojmë të gjithë infrastrukturën e duhur turistike", thotë kryebashkiaku Flamur Bime. Ai tregon se rritja e fluksit turistik gjatë vitit 2007 është trefishuar në raport me 2006-ën. Por, sipas tij, e gjithë kjo është e pamjaftueshme për mundësitë që ka Gjirokastra. Ndonëse vizitorët vendas e të huaj janë pothuaj nga e gjithë Evropa, madje edhe nga Australia, SHBA, Kanadaja etj., sërish këta vizitorë janë më tepër të rrafshit studiues apo studentë universitetesh restauruese apo arkeologjike. "Ne dëshirojmë të kemi në Gjirokastër një turizëm masiv, jo disaorësh por një, dy apo treditor. Me këtë synim po punohet gjatë këtij viti", thotë Bime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›