Bregu: Shqipëria, më mirë se Greqia
Zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, ka vlerësuar raportin mbi liritë ekonomike të publikuar nga "Heritage Foundation". Ky raport e rendit Shqipërinë në vendin e 56-të, ndër 157 vendeve të së gjithë botës. Vendi ynë ka njohur një përmirësim të ndjeshëm në dy vitet e fundit, 2006-2007, dhe sidomos në treguesit e lirisë për investime, lirisë fiskale dhe monetare, duke lënë mbrapa në klasifikim edhe vende shumë të zhvilluara të BE-së, si Greqia.
"Në dy vitet e fundit, Shqipëria ka përmirësuar rezultatin e saj të përgjithshëm me afërsisht 4%; nga 58.7% në vitin 2005, në 62.4 % në vitin 2007. Parashikimi për vitin 2008 nga vetë hartuesit e raportit është gjithashtu optimist. Ai shkon në 63.3%, por ne mendojmë se shifra reale do të jetë më e lartë se kaq", tha zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu. Nën funksionin e ministres së Integrimit, Bregu u shpreh se "liberalizimi i shpejtë i tregtisë dhe reduktimi i tarifave doganore si pasojë e MSA-së dhe CEFTA-s, ka sjellë një tarifë mesatare mbulimi afërsisht 4%, ndërkaq kjo shifër në raport është 7.15 %, (liria e tregut), sepse i referohet të dhënave të viti 2005".
Një ndër indikatorët e marrë në vlerësim është korrupsioni. "Megjithëse pohohen qartazi arritjet e bëra në reduktimin e tij, ne e njohim këtë problem dhe e dimë se kemi ende shumë për të bërë, për të arritur në nivele të kënaqshme. Kjo është arsyeja që lufta kundër tij është shpallur prioritet kryesor i qeverisjes së kësaj mazhorance", tha ajo. Në mbledhjen e 20-të të Komitetit të Planifikimit të Strategjive, e cila u kryesua nga Kryeministri Berisha, u diskutua gjithashtu kuadri makroekonomik i vendit për vitet 2009-2011, i përgatitur nga Ministria e Financave. "Parashikimet për vitin 2008 të bëjnë të harrosh vitin 2007. 2008 është viti i instalimit total të paketës fiskale që shënoi revolucionin më të thellë fiskal në historinë e këtij vendi. Parashikohet që rritja ekonomike në 2009-ën të jetë 6.5%, por do të jetë 7%. Ndërsa parashikohet 7% për vitet 2010-2011", tha Berisha. Kryeministri ka pranuar faktin se Shqipëria është një vend me shumë probleme, por ka sqaruar se mundësitë për t‘ia dalë mbanë janë të shumta. "Infrastruktura është jetike për shfrytëzimin e këtyre mundësive, dhe përparësitë tona nuk ndryshojmë; arsimi dhe shëndetësia janë përparësi konstante dhe në kuadrin makroekonomik të mandatit të ardhshëm këto mbeten përparësi të qeverisë", tha ai.