Paditet ministri Pollo, në rrezik imuniteti i tij
Ministri i Arsimit, Genc Pollo, është paditur në Gjykatën e Lartë dhe rrezikon heqjen e imunitetit nga Parlamenti. Një prej botuesve të gazetës "Standard" ka çuar në gjykatë ministrin e Arsimit, Genc Pollo, me akuzën për shpifje. Arjan Cukaj ka kërkuar fillimin e procedimit penal ndaj ministrit të Arsimit për veprën penale të shpifjes dhe fyerjes, që janë të parashikuara nga Kodi Penal. Nëse akuza vërtetohet nga drejtuesit e seancës gjyqësore, atëherë do të kërkohet heqja e imunitetit të ministrit Pollo dhe ndjekja penale e tij. Seanca zhvillohet sot dhe do të drejtohet nga gjyqtari i njohur, Ardian Nuni.
Bëhet fjalë për shkak të akuzave që ministri i Arsimit ka bërë në një konferencë për shtyp dy muaj më parë ndaj një prej botuesve të gazetës së përditshme "Standard". Në atë konferencë, ministri Pollo e kishte akuzuar botuesin e gazetës për shantazh, për shkak të publikimit të disa shkrimeve, në të cilat bëhej fjalë për skandale të regjistruara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, disa shkelje të rënda ligjore të vërtetuara nga dokumente zyrtare të Ministrisë së Arsimit e të Shkencës, si dhe denoncimet e profesorëve të Universitetit të Tiranës dhe cilësimin si antiligjore të disa tenderëve të zhvilluar nga Ministria e Arsimit, nga Agjencia e Prokurimeve Publike.
Kjo padi ndiqet nga një padi tjetër civile, që kërkon pranë Gjykatës së Shkallës së Parë dëmshpërblim dëmi dhe ndjesë publike nga ministri i Arsimit. Ndërkaq, edhe një padi tjetër është depozituar në drejtim të ministrit të Arsimit, Genc Pollo, nga kompania "Infosoft". Kjo kompani kërkon dëmshpërblim prej 70 milionë lekësh të reja, për shkak të vonesës së pagesës të produkteve që MASH-i ka blerë pranë subjektit në fjalë. Konflikti financiar ka lindur në dhjetor të vitit të kaluar.