E Diel, 1 Nëntor 2026

Pavarësia, "Top Channel" mbush sheshin "Skënderbej"

Kokteje fishekzjarresh kanë përndezur qiellin e kryeqytetit shqiptar gjatë mbrëmjes së djeshme, duke i dhënë tone akoma më entuziaste festës që nisi paraditen e 17 shkurtit. Shkëlqimi i tyre ka vazhduar gjatë, sikundër edhe gëzimi shqiptar për Kosovën, tashmë një shtet të pavarur demokratik.

GËZUAR PAVARËSINË KOSOVË!

Ky urim është shtruar plot emocione gjatë gjithë ditës së djeshme nga të gjithë kryeqytetasit të mëdhenj e të vegjël, që kanë sfiduar edhe temperaturat e ulëta nën zero gradë Celsius. Ata kanë mbushur bulevardin "Dëshmorët e Kombit", diku me flamuj mbuluar supeve, të tjerë me shalle të kuq rrethuar ballit a hedhur qafës. E kuqja kombëtare ka triumfuar bindshëm në atë që është quajtur shëtitorja e lirisë në Tiranë. Festa jonë ka zgjatuar gëzimin kosovar nga njëri kryeqytet në tjetrin, nga njëri shtet në tjetrin. Shqiptarë e kosovarë së bashku kanë përshkruar shëtitjen e lirisë dhe pavarësisë, mes solidaritetit njerëzor dhe ëndrrës tashmë të përmbushur.

Banda e qytetit ka çelur siparin e festës, ku Himni i Flamurit ka ndezur ndjenjat kombëtare dhe ka shtuar emocionin në këtë ditë të veçantë, që çdo shqiptar brenda dhe jashtë Shqipërisë, brenda dhe jashtë Kosovës e përjeton vetëm një herë në jetë. Më tej notat muzikore, koncertet e grupeve dhe ansambleve të muzikës popullore dhe asaj të lehtë në kënde të ndryshme kanë mbledhur dëgjues të shumtë. Fëmijët kanë lodruar në sheshin ku qarkullimi i zakonshëm i makinave ka munguar, duke u shndërruar në një hapësirë të mbuluar nga atmosfera festive e pavarësisë. Të tjerë fëmijë, ata më të guximshmit, kanë kryer ritin e kahershëm të ngjitjes në monumentin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, duke shijuar prej andej momentet festive.

Monitorë të mëdhenj të fiksuar përgjatë bulevardit kanë transmetuar gjatë gjithë ditës ngjarjet direkte të ndodhura në Prishtinë e anembanë Kosovës. Deklarata e Pavarësisë, e lexuar nga Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është brohoritur nga kryeqytetasit në Tiranë me të njëjtin intensitet e emocion, sikundër edhe në Prishtinë.

Mjaft të frekuentuara kanë qenë edhe tezgat e vogla të improvizuara ku shiteshin flamuj apo shalle me simbolet kombëtare. E pavarësisht çmimeve, diku edhe të kripura, sërish qytetarët e shumtë kanë preferuar të mos mbeten duarbosh, pa përflakjen kuq e zi. Po kështu, në të gjithë institucionet shtetërore numri i flamujve është shtuar dhe valëvitja e tyre ka shoqëruar ecjen fisnike të shqiptarëve që kanë qenë pranë popullit kosovar. "Kemi dalë pas ftesës që na bëri Bashkia e Tiranës. Duam të shprehim gëzimin për pavarësinë e Kosovës. Duhet të kalonin 100 vjet që ta shijonim këtë ditë". Janë këto fjalët e një të moshuari, që edhe pse në këtë mot të ftohtë gjendet mes një grupi të madh miqsh në bulevard.

Ndërsa Ibrahimi, një mesoburrë, shtatlartë e me një dekor mustaqesh nga ato të qëmotit, thotë se tani nuk kërkon asgjë më shumë. "Edhe me dek jam i qetë, andrra e babës për pavarësi asht plotësu", shprehet ai me dialektin gjakovar, që nuk e ka ndryshuar aspak, edhe pse që prej më shumë se 20 vitesh banon në kryeqytet. Janë të shumtë kosovarët që jetojnë prej vitesh në Tiranë. Një pjesë e madhe e tyre janë nisur drejt Kosovës për të festuar ditën e madhe të lirisë dhe mëvetësisë. Të shumtë janë edhe ata shqiptarë, që kanë marrë rrugën drejt shtetit më të ri në botë, Kosovës.

Mbrëmja ka shkëlqyer si rrallëherë në kryeqytetin e Shqipërisë. Një koncert madhështor në qendër të Tiranës, në sheshin "Skënderbej", organizuar nga "Top Channel" ka manifestuar vlerat më të mira të muzikës popullore shqiptare, asaj të lehtë dhe moderne. Tingujt muzikorë dhe motivet kombëtare kanë rritur temperaturën në sheshin e mbushur nga mijëra qytetarë, që kanë brohoritur së bashku me thirrjet e artistëve për pavarësinë e Kosovës. Këngëtarët e spektakleve të shumta të televizionit "Top Channel", si dhe emrat më të shquar të muzikës shqiptare kanë ngjyrosur me interpretime të shkëlqyera atmosferën e festës. Nuk kanë munguar as përshëndetjet e ngrohta drejtuar të gjithë popullit kosovar për pavarësinë e merituar. Një flamur gjigant kuq e zi ka mbushur dekorin e festës në koncertin që ka shoqëruar deri në fund 17 shkurtin. Me qindra flamuj të tjerë kanë plotësuar përgjatë gjithë mbrëmjes këtë ceremoni, që artistikisht është shndërruar në një memorial përshëndetjesh dhe ovacionesh gëzimi të pamasë.

Jehona e "Valsit të dashurisë" ka qenë kënga me mesazhin final për një jetë të re, për shtetin më të ri në botë, Kosovën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›