Zbulohen 16 "pensionistët", vodhën mbi 100 mijë euro
Antikrimi ekonomik zbulon një grup prej 16 pensionistësh, të cilët kishin përfituar para nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve. Personat e zbuluar janë proceduar penalisht nën akuzën e falsifikimit dhe vjedhjes. Burimet policore bënë të ditur se gjatë dy ditëve të fundit është realizuar një operacion i koduar "Pensionistët", që ka zbuluar 16 persona të cilët përfitonin pension padrejtësisht, për faktin se kishin falsifikuar disa dokumente. Rreth gjashtë muaj më parë, antikrimi ekonomik ishte vënë në dijeni nga Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore se kishin hasur në disa dokumente të parregullta për ndarjen e pensioneve në zonën e Dibrës dhe të Matit. Me t‘u vënë në dijeni, Drejtoria e Luftës Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar kishte ndërmarrë një hetim të hollësishëm për zbulimin e këtij skandali. Fillimisht, oficerët e antikrimit ekonomik kanë konfiskuar dokumentacionet përkatëse të pensioneve në këto zona dhe kanë studiuar ligjshmërinë e tyre. Gjatë këqyrjes së këtyre dokumenteve ka rezultuar se ishin kryer një sërë abuzimesh. Më tej, policia ka zbuluar një listë prej 20 personash, të cilët dyshohen se kanë paraqitur dokumente false për të përfituar pensione. Hetimi ka zgjatur deri para pak ditësh, kur antikrimi ekonomik ka zbuluar edhe emrat e personave abuzues. Sipas të dhënave hetimore, nga lista prej 20 vetave, ka rezultuar se 16 janë të implikuar në falsifikimin e dokumenteve për të përfituar pension. Në këto kushte, gjatë javës që shkoi, oficerët e grupit hetimor kanë marrë në pyetje gjithë personat e dyshuar, të cilët i përkasin moshës nga 53 - 66-vjeçare. Ata nuk kanë pranuar të kenë kryer falsifikime dokumentacionesh, por nga të dhënat e mbledhura, grupi hetimor është i bindur se është kryer një veprim i tillë. Duke bërë dokumentimin e veprës penale për përfitim të pensionit me dokumente false, policia ka dërguar në prokurori të 16 personat e dyshuar. Burimet nga grupi hetimor bënë të ditur se për shkak të moshës së tyre është vendosur që ata të ndiqen penalisht në gjendje të lirë. Megjithatë, policia nuk e ka mbyllur me kaq operacionin e koduar "Pensionistët", për shkak se dëmi financiar i shkaktuar prej tyre arrin në shuma të mëdha parash. Sipas hetimeve të kryera në harkun kohor prej gjashtë muajsh, rezulton se personat e proceduar penalisht përfitonin pension në mënyrë të jashtëligjshme prej pesë vitesh. Nga të dhënat mësohet se periudha që ata kanë përfituar pension u përket viteve 2000-2005. Pas vitit 2005, sigurimet shoqërore kishin ndërprerë marrëdhëniet financiare të këtyre personave, me qëllim verifikimin e dokumentacioneve të paraqitura prej tyre. Nga përllogaritjet e policisë rezulton se ata kanë vjedhur nëpërmjet dokumenteve false rreth 100 mijë euro. Megjithatë, kjo shumë parash mund të jetë edhe më e lartë, por do të përllogaritet plotësisht gjatë hetimeve më të thella nga grupi hetimor i task-force në Prokurorinë e Tiranës. Policia tha se ende nuk është zbuluar personi, i cili ka ndihmuar të moshuarit për t‘u pajisur me dokumente false. Nga të dhënat hetimore mësohet se po punohet për zbulimin e ideatorëve dhe organizatorëve të këtij abuzimi, me qëllim dërgimin e tyre para drejtësisë shqiptare.
Pensionistët e proceduar
Vera K., 55 vjeçe
Vilson Sh., 60 vjeç
Nazif A., 64 vjeç
Flutura M., 54 vjeçe
Hamide B., 53 vjeçe
Sulltan Ç., 66 vjeç
Mersin B., 60 vjeç
Bilal S., 58 vjeç
Alie A., 55 vjeç
Lutfie F., 55 vjeçe
Xhavit M., 64 vjeç
Emin Q., 64 vjeç
Mahmut Ç., 64 vjeç
Have P., 56 vjeçe
Haqif Sh., 59 vjeç
Haziz E., 58 vjeç