Zgjedhjet presidenciale në Qipro. "Eliminohet" Tasos Papadopoulos
Presidenti i Qipros, Tasos Papadopoulos, duket se do të eliminohet që në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të së dielës, ndërsa rezultatet paraprake e rendisnin atë në vend të tretë. Me 77 për qind të votave të numëruara, konservatori Ioanis Kasoulides rezulton të jetë i pari me 33.7 për qind të votave, i ndjekur nga komunisti Demetris Christofias, me 33.1 për qind, ndërsa Papadopoulos është në vend të tretë, me 31.75 për qind. Nëse kjo tendencë do të vazhdojë deri në fund, pas shpalljes së rezultatit zyrtar, Papadopoulos nuk do të mund të garojë në balotazhin e 24 shkurtit në zgjedhjet që konsiderohen si thelbësore për ribashkimin e ishullit në Mesdhe dhe aspiratat e Turqisë për anëtarësim në BE. "Ne po ndjekim një palë zgjedhje me të vërtetë intriguese", thotë Nicos Anastasiades, shef i partisë që mbështet Kasoulidesin. Papadopoulos, i zgjedhur më 2003-shin, ka udhëhequr kundërshtimin e planit të Kombeve të Bashkuara për ribashkimin e ishullit në 2004-ën. Kritikët thonë se ai është një ndjekës i linjës së ashpër që i ka bërë greko-qipriotët të papëlqyeshëm në Evropë dhe që ka dështuar të marrë iniciativa vendimtare për rifillimin e bisedimeve të paqes me komunitetin turko-qipriot. Si Kasoulides ashtu edhe Christofias kanë thënë se ata do të donin që negociatat të rifillonin dhe t‘i jepej fund ndarjes së ishullit. Fillimisht sondazhet folën për kryesimin e komunistit Christofias kundrejt dy rivalëve, të cilët "luftonin" për vendin e dytë. Por, në vazhdim tendenca ndryshoi. Sondazhet kishin parashikuar gjithsesi se gara do të ishte shumë intensive, aq sa do të ishte e vështirë të flitej për parashikime. E duke mbetur te sondazhet, ato flasin për një fitore të Christofias-it, kundrejt Papadopoulosit në balotazh, edhe pse distanca mes tyre është ngushtuar në krahasim me fillimin e shkurtit. Christofias, që ka mbështetur Papadopoulosin në presidencialet e shkuara, ka qenë përkrah tij edhe në refuzimin e planit të Kombeve të Bashkuara për ribashkim, por më vonë u shfaqën mes tyre mosmarrëveshje në lidhje me taktikat. Ndërmjetësuesit planifikojnë një tjetër përpjekje gjatë këtij viti, për ribashkimin mes qipriotëve turq dhe grekë që jetojnë në anë të kundërta të një linje neutrale të kontrolluar nga Kombet e Bashkuara, që e ndan ishullin prej dekadash. Përpjekjet për të ripajtuar të dyja anët po dëmtojnë gjithashtu edhe shanset e Turqisë për anëtarësim në BE. Qiproja greke përfaqëson ishullin në Bashkimin Evropian dhe ka të drejtën e vetos për pranimin e Turqisë në bllok. BE-ja pjesërisht ka pezulluar bisedimet për anëtarësimin e Turqisë, pas refuzimit të kësaj të fundit për hapjen e porteve dhe aeroporteve për anijet e avionët greko-qipriotë.