E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasionet e mëdha të Denzelit: Zoti dhe familja

Me një tufë çmime "Oskarësh" dhe me një rrogë prej 20 milionë dollarësh për film, Denzel Uashington nuk është më nga ata aktorë që kërcen përpjetë sa herë që bie telefoni, por do të braktiste gjithçka për familjen. Përkushtimi i madhi Denzelit ndaj familjes dhe ndjenja e fuqishme e besimit e bëjnë një "specie të rrallë" në Hollivud. Ai është anëtar i Kishës së Krishtit dhe ka 25 vjet martesë me bashkëshorten e tij. Kur e dëgjon të flasë për 4 fëmijët e tij, tashmë të rritur, mendon se ai është një nga ata baballarë që e kalojnë gjithë kohën pranë familjes. Në të kundërt, Uashington punon gjatë gjithë kohës. 29 vitet e fundit ka luajtur në 37 filma, përfshi edhe dy filmat ku ka marrë çmimin "Oskar": "Filadelfia" dhe "Dita e trajnimit". Zakonisht shquhet për rolet e personazheve pozitive, por këtë muaj do të shfaqet në filmin "Gangsteri amerikan" dhe do të jetë një djalë shumë, shumë i keq. Më pas kemi edhe filmin që do të dalë për Krishtlindje, ku ai luan dhe drejton njëherazi: "Debatet e mëdha", një film me temë të viteve ‘30. Këtij filmi ai i është përkushtuar me shumë dashuri. E ndërsa po bën përgatitjet e fundit para Krishtlindjeve për të shfaqur filmin, ai dha këtë intervistë.

Cilat janë anët e tua të forta si aktor?

Unë nuk e analizoj veten. Unë jam ai që jam dhe u takon njerëzve më pas të më vlerësojnë. Jam thjesht vetvetja dhe jam në vazhdim të rrugëtimit tim shpirtëror.

A e konsideroni veten një njeri shpirtëror?

Tërësisht.

Në çfarë mënyre?

Unë e lexoj Biblën çdo ditë. Aktualisht kam në dorë librin e Xhonit. Prifti im më tha që ta nisja me Testamentin e Ri. Bëhet fjalë për dy vite më parë dhe unë kështu bëra, punova me të për të vazhduar me Testamentin e Vjetër.

A ndiheni në kontradiktë në një ambient të pazot si Hollivudi, duke qenë se jeni një person kaq shpirtëror?

Prisni pak. I pazot është një shprehje shumë e rëndë. Hollivudi i pazot? Çfarë është kjo? Së pari, Hollivudi është pjesë e Los Anxhelosit dhe jo një mënyrë të menduari. Kur ju thoni Hollivudi i pazot më përfshini edhe mua. Mos doni të thoni se në Hollivud askush nuk beson? Nuk do të ishte e mundur dhe është një përcaktim i padrejtë.

Po, po e drejtë.

Mendoj se është gjithmonë e lehtë t‘i përgjithësojmë gjërat, por nuk do të ishim shumë realistë.

Po, por të gjitha lajmet që vijnë nga Hollivudi janë për seks, dhunë e krim.

Janë gjëra që ndodhin kudo: në politikë, në luftë, nëpër rrugë, jo vetëm në Hollivud.

A ndikon formimi juaj shpirtëror në rolet që luani?

Mendoj se po. Është diçka që e fus kudo dhe është si një lloj bashkëbisedimi. Kudo që jam dhe çfarëdo të jem duke bërë e bëj edhe përmes filozofisë sime të besimit. Ai është diçka shumë më e madhe se një film, madje edhe se film ii fundit "Gangsteri amerikan". Kur takova regjisorin e filmit, më tha: "Luaje këtë rol dhe fito një ‘Oskar‘". Unë iu përgjigja: "Nuk jam këtu për një ‘Oskar‘, por sepse më pëlqen roli".

Po filmin "Debatet e mëdha" përse e bëtë?

Sepse është një histori suksesi, një histori fitoreje dhe më pëlqen të shpërndaj optimizëm.

Ky film është i dyti që po drejtoni. Përse ju tërheq regjisura?

Më pëlqen të luaj vetë, por edhe të vë të tjerët në lojë, sipas skemës që kam në kokë. Më pëlqen të gjej aktorë të rinj dhe të ndaj me ta përvojën time të bashkëpunoj. Pastaj më pëlqejnë gjërat e reja. Si idhull kam Klint Istvud. Ai ka pasur sukses në //////////////të gjitha karrierat kinematografike e ////////////mbi të gjitha është kënaqur me /////////////të gjitha.

Babai juaj ishte prift. Çfarë njeriu ishte?

Ishte një zotëri i vërtetë. Një i krishterë i devotë, një njeri me shpirtin plot, shumë punëtor, aspak i fryrë dhe konsistent.

A ka luajtur me ty në fëmijëri?

Jo, nuk ishte nga ata baballarë që luanin me fëmijët e tyre, por më dha mundësinë ta bëj në vende të tjera.

Me cilin nga prindërit keni qenë më pranë, me babanë, apo me nënën? Mendoj se djemtë janë më të afërt me nënat. Si gjatë fëmijërisë sime edhe tani është e njëjta gjë. Ne nuk e shihnim babanë. Kishte një punë 6 me 12. Më pas vinte në shtëpi, pushonte pak dhe shkonte sërish në turnin e natës. Kështu i bëheshin 18-20 orë punë në ditë.

Cilët kanë qenë heronjtë e tu në fëmijëri?

Nuk kam pasur shumë të tillë. Ndoshta lojtarët e bejsbollit.

Ata të kanë dhënë modelin e njeriut që duhet të ishe?

Unë mendoj se roli i një njeriu model, ose i një ///////////////mentori është ai i një njeriu që ti e sheh përditë. Vetëm kështu ke mundësi që të mësosh. Për sa u përket njerëzve të tillë, ata janë dy mësuesit e mi të universitetit.

Çfarë ke mësuar prej tyre?

Më mësuan të besoj në vetvete. Më kujtohet njëri prej tyre që më tha: "Me zgjuarsinë tënde do të mund të bësh gjithçka që do". Fjali të tilla të ngjisin gjatë gjithë jetës. Isha dhjetë vjeç, por nuk e harrova kurrë. Fjalët që dëgjon në fëmijëri për veten janë shumë të rëndësishme.

A keni ndonjë projekt në sirtar që do ta konsideronit si realizimin tuaj të fundit?

Jo. Ka disa histori që do të doja t‘i tregojë, por asnjëra nuk është aq madhështore. Sa për projektin tim më të madh e më të rëndësishëm dhe atë përfundimtar do të thosha se është familja ime, fëmijët e mi.

Çfarë lloj babai jeni?

Nëse ke fëmijë e kupton se fjala stil, ose mënyrë nuk hyn fare në këtë mes. Është një lloj hibridi. Është diçka që si unë, ashtu edhe gruaja ime e kemi mësuar nga prindërit tanë dhe e kemi aplikuar me përkushtim. Kemi ndërfutur edhe besimin, disiplinën, sigurisht dashurinë. Gruaja ime ka bërë një punë të mrekullueshme si nënë. Ajo ka qenë gjithmonë këmbëngulëse dhe është përpjekur t‘u japë fëmijëve një jetë sa më normale.

A mendoni se është e vështirë të jetohet me një baba si Denzel Uashingtoni?

Epo ata nuk kanë pasur ndonjë zgjedhje tjetër. Kur djali im i madh ishte 14 vjeç nisa t‘i flas për gabimet që kisha bërë në jetë. Doja të fusja disa të çara në atë përfytyrim rrëzëllues që ata kishin për mua, sepse në fakt gjërat nuk janë perfekte.

Çfarë do të thotë për ju të shohësh fëmijët tek rriten?

Është sfiduese, e mrekullueshme. Nuk ka kënaqësi më të madhe se sa kur i sheh të përgjegjshëm, të rregullt dhe që respektojnë normat.

Tani fëmijët tuaj janë rritur dhe janë, në pjesën më të madhe të kohës, jashtë shtëpisë. Si ndiheni me bashkëshorten?

Kemi ende dy binjakët tanë. Dhe ata sjellin shumë të tjerë në shtëpi. Në verë shtëpia jonë u shndërrua në një lloj hoteli. Duke qenë se ata ende janë të gëzuar kur vijnë në shtëpi, do të thotë se ne ende vazhdojmë të bëjmë një punë të mirë si prindër.

Kjo është një gjë e mirë. Ju keni 25 vjet që jeni martuar?

Në qershorin e ardhshëm bëjmë 25.

Cili është sekreti i një martese 24-vjeçare?

Bë atë që të thotë gruaja.

Çfarë ndodh me një marrëdhënie bashkëshortore pas 15 apo 20 vjetësh? A ka ndryshime?

Çdo gjë ndryshon. Por kjo ndodh edhe pas 15 ose 20 ditësh.

Si u lidhët të dy?

Kjo nuk ka shumë rëndësi, por ju them se gjithçka përfundon ashtu siç nis, pra në një miqësi të madhe. Dhe sigurisht respekt. Duhet të vazhdosh një rrugë që ke nisur dhe kjo kërkon, veç të gjithave, shumë dedikim.
Si ia dilni mbanë në kohë të vështira?

Kur ke besim dhe disiplinë gjërat bëhen më të lehta. Besimi im më bën që të kuptoj dhe të sqaroj situata që ndryshe nuk do t‘i kuptoja. Nuk janë rrethanat shkaku i lumturisë sime, por paqja e brendshme.

Nëse do të kishit në dorë të ndryshonit diçka në Amerikë, cila do të ishte?

Së pari, do të doja të ndryshoja jo vetëm diçka, por shumë gjëra, por do ta nisja me racizmin.

A keni përjetuar paragjykime?

Sigurisht. Por jam një person pozitiv dhe kjo nuk më ndikon pafundësisht.

Njerëzit ju shohin dhe thonë: ja një njeri që i ka të gjitha. A jeni përpjekur shumë?

Përpjekur? Sigurisht, por së pari unë jam një besimtar. Je ti ai që mund ta krijosh realitetin tënd, jetën tënde. Unë i them vetes se jam mirë dhe se dua që të jem edhe më mirë. Është natyra ime.

E konsideroni veten një sukses?

Nuk e di se çfarë do të thotë kjo fjalë. Unë jam i lumtur. Për mua suksesi është arritja e paqes së brendshme.

Çfarë marrëdhënieje keni me famën?

Jam modest dhe këtë modesti e kam ngaqë jam besimtar, ndryshe kushedi ku do të kisha fluturuar. Thjesht mendoj se më janë dhënë disa aftësi të cilat duhet t‘i vë në jetë dhe mbi të gjitha t‘i ndaj për të mirën e të tjerëve.

Ju dhe bashkëshortja juaj keni një veprimtari të pasur si filantropë. Përse jeni përfshirë kaq shumë?

Është ajo që na mëson Bibla. Është gjëja e duhur për t‘u bërë. Nga ana tjetër, është edhe pak egoiste, sepse ti vetë personalisht përjeton një gëzim shumë të madh kur ndihmon të tjerët. Ne jemi përgjegjës për të ndarë gjërat që na janë dhënë.

Çfarë gjëje do të ndryshoje te vetja po të kishe mundësi?

Peshën time. Mendjen e kam mirë tani, por trupi po më çalon; trupi ndihmon mendjen.

Për cilën gjë që keni bërë në jetë jeni më krenar?

Zotin, familjen, punën. Por më shumë krenar ndihem ndaj fëmijëve të mi.

Si do të donit që të tjerët të të kujtonin pas vdekjes?

Nuk e mendoj atë gjë. Jam tepër i zënë me jetën time.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›