Zgjedhjet, pedagogët e rinj, të pabesueshëm
Pedagogët e rinj mund të lëshojnë në kuti një votë interesi dhe jo një votë të pastër, ashtu si studentët. Kështu ka deklaruar Ministria e Arsimit për gazetën "Shqip", pas shkrimit për problemet e rregullores. Me këtë deklaratë, MASH sqaron arsyet pse përjashtoi nga votimi pedagogët e universiteteve, që kanë më pak se një vit pune.
"Lidhur me artikullin ‘Rektorët zgjidhen kokë a pil‘, mendojmë se duke qenë se pedagogët e rinj janë në fillimet e karrierës, votat e tyre mund të mos jenë mbi baza vlerash dhe aftësish të vërteta të personave që kandidojnë, por mbi baza interesash personale të lidhura me punësimin e tyre". Kështu u shpreh dje Marjana Lako, specialiste e arsimit të lartë në MASH. Siç shihet nga ky prononcim, që vjen direkt pas shkrimit, dikasteri i arsimit vë në dyshim seriozitetin e këtyre pedagogëve dhe i shpall publikisht të pabesueshëm. Specialistja shtjellon më tej idenë e saj se "ky lloj votimi nuk ndihmon në realizimin me sukses të objektivave dhe çon në një votim jo shumë efektiv. Në këtë prizëm është më e pranueshme që të merret në konsideratë vota e studentëve, të cilët pavarësisht se kanë vetëm tre muaj shkollë, mund të realizojnë një votim mbi baza më reale, pasi në këndvështrimin e tyre, personi që kandidon është një pedagog, me të cilin ata mund të kenë ose jo të bëjnë dhe ata kanë formuar një farë opinioni për të, pa asnjë interes". Por jo vetëm kaq, studentët shihen nga dikasteri i arsimit si grupimi më i rëndësishëm në universitet. "Përbëjnë një grup interesi, i cili është më se i domosdoshëm dhe i fuqishëm në vendimmarrje", tha Lako.
Më datë 19 dhjetor, në faqet e së përditshmes "Shqip" gjendej shkrimi me titull "Rregullorja, rektorët zgjidhen ‘kokë a pil‘", i cili ngrinte katër probleme që kanë dalë në zhvillimin e zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës: zgjedhjen me short të fituesit, në rast se dy kandidatë dalin me pikë të barabarta; përjashtimin e pedagogëve që kanë më pak se një vit pune nga votimi; mospërcaktimin e numrit të votuesve për një qendër votimi dhe çështjen e numrit të senatorëve. Këto probleme, të cilat burojnë nga rregullorja e zgjedhjeve që ka hartuar MASH-i, janë konstatuar nëpër fakultete dhe u lançuan nga kryetari i KQZI-së në UT, Enver Roshi. Ministria e Arsimit ka sqaruar me pak fjalë edhe një problem tjetër, që në fakt është titulli i këtij shkrimi, fitoren me short. "Në rastin e qendrave të votuesve me numër çift, zgjedhja me short është zbatuar edhe në raste të tjera të mëparshme votimesh dhe është e përshtatshme", përfundon Lako.