E Diel, 1 Nëntor 2026

E vjetra u shemb, kohët ndryshuan

Nuk është thjesht një godinë e re ministrore. Duket sikur brenda bart dhe një legjendë. Në fakt, godina e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, vepër e arkitektit Dhimitër Dhespoti, inxhinier i xhenios, në ushtrinë shqiptare të kohës së Zogut, simbolizon dhe një tranzicion shoqëror të vështirë. Godina, një ndër më karakteristiket në Tiranë për nga stili arkitektonik ishte ndër të fundit në qendër të Tiranës, që ashtu, e degraduar, ngjante me një gërdallë që zhgërryhej në shtratin e llumtë të vetvetes. Ishte po ashtu, e vetmja godinë që po i rezistonte prej shumë vitesh tentativës për kthim në identitet (jo si Lidhje Shkrimtarësh), por si vlerë e rrallë monumentale. Ajo i përket vitit 1932. Në fillim u përdor si shtëpi për ushtarakët, në kohën e Zogut e pas çlirimit, deri pas viteve ‘70, kur iu ndryshua destinacioni. U shndërrua në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë. Pas 90-ës, rrënimi i Lidhjes, nisi të konturohej dhe në rrënimin e godinës. Por nga ana tjetër, rezistimi i njerëzve që u kapën me thonj pas Lidhjes, bëri që dhe godina të mbetej peng i tyre, sipas së cilëve, shihej si e hirosur, e shenjtëruar vetëm në funksion të një grushti njerëzish që më së shumti shpërthenin në sherre, sapo afrohej koha për të diskutuar drejtimin e organizatës. "Na u deshën 9 muaj që ta sillnim godinën në këtë gjendje", thotë ministri Pango, që duke hedhur vështrimin tej e ndanë fasadës, pa fshehur një ndjenjë triumfi, pasi arriti t‘i japë drejtim dhe ta largojë nga statusi i zvarritjes një prej meseleve më të zhurmshme të tranzicionit; atë nëse duhet të ekzistonte më Lidhja e Shkrimtarëve, të paktën e identifikuar me atë godinë historike. Që sot, me një ceremoni përurimi, godina shndërrohet në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ky status i ri i godinës është më se i dukshëm nga germat e stërmëdha e të ndriçuara për natën të vendosura në tarracë. Dhe, të gjitha resurset e brendshme të godinës, sipas shpjegimit të ministrit Pango, do jenë në funksion të një ministrie që duhet të kuptohet që është e Kulturës, jo thjesht nga emri e funksioni, por nga dinamika e brendshme. Për herë të parë, në një ministri do shfaqen filma, do jepen koncerte, do hapen ekspozita. Si do të ndodhë kjo?

Ministri Pango të shoqëron nëpër ambientet e restauruara të godinës e të shpjegon imtësisht funksionin e çdo skutë të saj: zyra juridike e ajo e prokurimeve publike në kat të parë, aty kur ka qenë një ish-bar-restorant; po në kat të parë është dhe një ambient i madh me zyra të improvizuara hijshëm estetikisht dhe me komoditet joshës, ku do të jenë specialistët; në kat të dytë, janë zyrat e drejtorive të ndryshme, e po në këtë kat, është dhe një nga ambientet më të këndshme jo vetëm të godinës së ish-Lidhjes, por në përgjithësi të të gjitha godinave të stilit të periudhës së Zogut. Ajo është salla "Tefta Tashko Koço", ku sipas shpjegimit të ministrit Pango, do jepen koncerte të ndryshme e do realizohen aktivitetet me theks promovues. Pianoja e famshme e Lidhjes në mes të sallës, ia shton madhështinë dhe mistiken që mbart. Ndërsa për periudhën e verës, sipas projektit të ri, janë planifikuar të vihen në funksion dy veranda të mëdha: Një që do të quhet "Vëllezërit Lymjerë" dhe ku do të jepen filma të ndryshëm, si dhe "Tarraca Fishta" që gjithashtu do të shërbejë për aktivitete kulturore të çdo game. Vijojmë së bashku me drejtuesin e dikasterit, Pango, në katin e tretë, ku kryesisht janë daljet në dy tarracat, si dhe zyrat e këshilltarëve që kulmojnë me zyrën e tij, në krah të së cilës ndodhet dhe salla e mbledhjeve. Zbresim poshtë dhe ministri të tregon sallën "Konica", si dhe sallën "Ibrahim Kodra" që do jetë një lloj galerie e re arti me vepra të artit pamor, kryesisht piktura, pasi skulpturat do të ekspozohen në hapësirën para godinës. Pra, ministria do të jetë një ansambël ku do të ndërthuret aktiviteti zyrtar e burokratik i një dikasteri me pjesën e aktivitetit promovues të artit e kulturës në disa prej gjinive klasike të tij. Ministri Pango preferon gjithnjë të theksojë se kjo punë gjigante është realizuar në 9 muaj, ku 6 muajt e parë, i janë dashur për ta "çliruar" nga zaptuesit e tre muajt e tjerë për ta restauruar sipas një projekti të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve. Dhe në tre muaj, sipas Pangos, puna ka nisur që me zhdukjen e minjve që kishin populluar ambientet e ulëta të godinës e me heqjen e mynxyrave të tjera.

Sot, ngjarje nuk është transferimi i një ministrie, por ringjallja e godinës së ish-Lidhjes, rikthimi saj në shkëlqimin e humbur, riprezantimi i saj si një vlerë monumentale në historinë shpirtërore qytetare dhe urbanistike të kryeqytetit. Sipas specialistëve të ristrukturimit, stili arkitekturor i brendshëm ka synuar të krijojë vizionin për "Një kulturë dhe art, të hapur me të gjithë dhe për të gjithë". Pas godinës së re të Shkollës së Restaurimit dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës në ish-Kinostudio, rikonstruksioni, restaurimi dhe funksionimi i ri i ish-Lidhjes së Shkrimtarëve, është objektivi dhe premtim i dytë i tij që po mban që nga marrja e detyrës si ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›