Mbretëresha Elisabetë, monarkja më jetëgjatë në Britani
Mbretëresha Elisabetë ka thyer dje një rekord të ri duke lënë pas Mbretëreshën Viktoria e duke u bërë monarkja më jetëgjatë në Britaninë e Madhe. Stër-stërgjyshja e saj, që ka lindur më 24 maj 1819, jetoi 81 vjet, shtatë muaj dhe 29 ditë. Saktësisht në orën 17.00 të ditës së djeshme, Mbretëresha e theu këtë rekord. Por, dita e djeshme ishte krejtësisht e zakontë për Mbretëreshën dhe nuk pati asnjë eveniment special për të shënuar këtë okazion. Monarkja që ka lindur më 21 prill 1926, ka kaluar ditën me detyrat normale dhe nuk pati asnjë takim apo dalje në publik. Mbretëresha do të festojë 60 vjet në fron në 2012-ën dhe do të thyejë rekordin tjetër të Mbretëreshës Viktoria, si monarkja britanike më jetëgjatë në fron, më 9 shtator 2015. Gjatë mbretërimit të saj, gjithsesi, Elisabeta ka edhe të tjera risi. Ajo ishte monarkja e parë që ka dërguar një e-mail, e para që ka lëshuar një mesazh në hënë dhe e para që ka organizuar një koncert publik në oborrin e saj privat. E ndërsa Mbretëresha Elisabetë është monarkja britanike më e moshuar, rekordet e jetëgjatësisë së mbretërve regjistrohen në Azi dhe Oqeani. Kështu, Mbreti i Samoas, Malietoa Tanumafil, që u ngjit në fron në vitin 1962, ka qenë më i moshuari deri kur vdiq, më 11 maj 2007, në moshën 94-vjeçare. "Kolegu" i tij i ishujve Tonga, Taufa Ahau Tupou IV, vdiq në shtator 2006, në moshën 88-vjeçare. Dikur, mbajtësi i titullit të monarkut më të shëndoshë në botë (209,5 kg), ai mbretëroi 41 vjet në këtë rajon të Paqësorit Jugor. Perandori Hirohito, që vdiq në vitin 1989 më moshën 87-vjeçare, mbretëroi 63 vjet, duke shënuar mbretërimin më të gjatë në historinë e Japonisë. Mbretërimi i perandorit të Etiopisë, Hailé Selassie, lindur në korrik 1882, përfundoi brutalisht në moshën 86-vjeçare me grushtin ushtarak të shtetit, të drejtuar nga Mengistu Haile Mariam më 1974. Mbreti i Tajlandës, Bhumibol Adulyadej, që shënon rekordin botëror të jetëgjatësisë në fron të epokës bashkëkohore festoi 80-vjetorin në fillim të dhjetorit 2007. Në Evropë, mbreti Harald V i Norvegjisë, 70 vjeç, që hipi në fron në vitin 1991, i është nënshtruar, kohët e fundit, dy ndërhyrjeve kirurgjikale në zemër. Fqinji i tij, Karl XVI Gustaf i Suedisë, që është në front që prej vitit 1973, është sot 61 vjeç. Princi Rainieri III dha shpirt në prill të vitit 2005 në moshën 81-vjeçare, pas 55 vjetësh të mbretërimit të tij në Monako. Por, sipas historianëve, rekordi absolut u vendos para 4285 vjetësh në Egjipt nga faraoni Pepi II, që hipi në fron në moshën 6-vjeçare për të mbretëruar plot 94 vjet.