Sarkozi takon Papën. Vatikani refuzon të dashurën
Nikolas Sarkozi, Presidenti francez, është pritur nga Papa Benedikti i XVI në një vizitë zyrtare në Romë, por i pashoqëruar nga Karla Bruni, e dashura e tij me origjinë italiane. Si media franceze ashtu edhe ajo italiane kanë spekuluar se Sarkozi dhe Bruni kishin planifikuar "pushime romane", në prag të Krishtlindjeve. Kristof Barbier, botues i revistës franceze "L‘Express", që edhe ka dhënë i pari lajmin për marrëdhënien mes Presidentit Sarkozi dhe ish-modeles, ka sugjeruar se Roma do të ishte skena e shfaqjes së parë të Brunit si një "Zonjë e Parë", jo zyrtare e Francës. Gjithsesi, zyrtarët e Vatikanit ia kishin bërë të qartë Elizeut se zonja Bruni nuk do të ishte e mirëpritur në një takim me Papën, sepse ajo dhe Presidenti francez nuk janë të martuar. Sipas protokollit të Vatikanit, nuk është e "përshtatshme" për një shef shteti të takojë Atin e Shenjtë, në një vizitë zyrtare, i shoqëruar nga një e dashur, thanë burimet. Bruni, që thuhet se ka dashur ta shoqërojë Sarkozinë në udhëtimin në vendin e saj, ka deklaruar ndërkohë dy ditë më parë se nuk do të shkonte në Romë. Ajo tha se nuk do të jepte llogari për këtë. Bruni, ka lindur në Torino, por është rritur në Francë, ku edhe ka bërë karrierë si modele e më pas si këngëtare. Ndërkohë, Sarkozi, ka mbërritur 18 minuta me vonesë në takimin me Papa Benediktin, por u shfaq krejt i pashqetësuar nga ky fakt, përkundrazi u shfaq buzagaz para gazetarëve. Ai dhe Papa Benedikti biseduan për 25 minuta dhe të dy ata folën frëngjisht, pa përkthyes. Kur Sarkozi komplimenti Papën e lindur në Gjermani për frëngjishten e tij të pagabueshme dhe e pyeti atë se ku e kishte mësuar, Ati i Shenjtë u përgjigj: "Në shkollë". Sarkozi shoqërohej nga një delegacion francez në të cilin bënte pjesë edhe aktori Zhan-Mari Bigard, Ati Filipe Verdin, një prift domenikan që ka shkruar një libër mbi besimin bashkë me Sarkozinë, filozofi Thibaud Kollin, si edhe historiani dhe shkrimtari Maks Gallo. Vizita e Sarkozisë në Vatikan është e para në cilësinë e tij si President. I divorcuar dy herë dhe i etiketuar si një katolik roman që nuk e praktikon aspak fenë, ai ka përsëritur gjithsesi rëndësinë e "spiritualitetit dhe besimit" në civilizimin perëndimor. Sarkozi do të takohet me Papën sërish vitin e ardhshëm, gjatë pelegrinazhit papal në Lourdes. Ndërkohë, mbrëmjen e djeshme, Sarkozi ndoqi paraardhësit e tij duke marrë titullin "Honorary Canon", në Bazilikën e Shën Xhon Lateran, një traditë kjo që daton që nga shekulli i 17-të dhe mbretërimi i Henrit të IV. Vatikani, ndërkohë, ka bërë të qartë se edhe në këtë rast prania e zonjës Bruni nuk ishte e përshtatshme, pasi Sarkozi po merrte një çmim si shef i shtetit francez dhe ajo nuk ishte bashkëshortja e tij. Vatikani ka kritikuar në vazhdimësi martesat mes të njëjtit seks në Francë dhe legjislacionin që ndalon shfaqjen e simboleve fetare në veshjet e shkollave. Pas takimit me Presidentin italian, Xhorxho Napolitano, Sarkozi zhvilloi bisedime edhe me Kryeministrin Romano Prodi dhe atë spanjoll Hoze Luis Rodrigues Zapatero, në mbrëmje. Në axhendë përfshihej edhe propozimi i Sarkozisë për një Union Mesdhetar dhe shitja e mundshme e "Alitalia"-s, kompania shtetërore italiane e fluturimeve.