Pakistani në "ethe" para zgjedhjeve
Politikanët pakistanezë të opozitës paralajmëruan kundër manipulimit të zgjedhjeve që fillojnë sot, që mund të shoqërohet me një rrëzim nga pushteti të aleatit të Shteteve të Bashkuara, Presidentit Pervez Musharaf, nga pushteti. Frika për dhunë ka lënë në hije fushatën elektorale, e si pasojë e saj pritet një pjesëmarrje e ulët në votime. Një kamikaz u mori jetën 47 personave në një sulm mbi mbështetësit e ish-kryeministres së vrarë të Pakistanit, Benazir Bhuto, një ditë më parë. Zgjedhjet u shtynë pikërisht pas vrasjes së Bhutos, në një sulm më 27 dhjetor, ndërsa ajo largohej nga një miting në Ravalpindi. Vdekja e saj rriti shqetësimet mbi të ardhmen e vendit, që është një fuqi bërthamore, ndërkohë që edhe Al-Kaeda ka në shënjestër destabilizimin e vendit mysliman me 160 milionë banorë. Këto nuk janë zgjedhje presidenciale, por popullariteti i ish-shefit të ushtrisë, Pervez Musharaf, pritet të jetë një faktor vendimtar në zgjedhjet e së hënës për Parlamentin e ri dhe asambletë provinciale. Opozita, gjithsesi, thotë se manipulimi i zgjedhjeve ka dëmtuar shanset e saj. "Është shumë e qartë se një plan për manipulim masiv të zgjedhjeve po implementohet", tha ish-kryeministri Navaz Sharif, që u rrëzua pikërisht nga Musharafi në një grusht shteti në vitin 1999, në një konferencë për shtyp në qytetin lindor, Lahore. Sharif dhe partia tjetër e opozitës, Partia e Popullit të Pakistanit, e ish-kryeministres Bhuto, ka premtuar se do të nisë protestat në rast se u vidhet fitorja. "Ne dhe Partia e Popullit duhet të fitojmë më shumë se sa një shumicë e thjeshtë. Nëse na privohet kjo, atëherë do të duket qartë se ka pasur një manipulim masiv dhe ne do të nisin protestat", tha Sharif. Senatori i Partisë së Popullit Pakistanez, Latif Khosa, u tha gazetarëve se aleatë të Musharafit kishin përgatitur qindra qendra votimi "fantazmë", ku kutitë e votimit do të mbushen me vota për Lidhjen Myslimane të Pakistanit. Protestat në rrugë në lidhje me rezultatin ngrenë tani pikëpyetje mbi mënyrën se si do të reagojë ushtria e fuqishme e vendit. Por, nëse opozita arrin ato rezultate që deri më tani janë prezantuar nëpër sondazhe, një Parlament "armiqësor" ndaj Musharafit do të sfidonte kushtetutshmërinë e rizgjedhjes së tij në tetor, për një tjetër mandat pesëvjeçar. Kjo, gjithashtu, mund të sinjalizojë trazira. Popullariteti i Musharafit u dëmtua pasi ai u përpoq të shkarkonte kryegjyqtarin pakistanez, marsin e shkuar dhe mori edhe një goditje tjetër në nëntor kur ai shpalli gjashtë javë gjendje të jashtëzakonshme, kohë gjatë së cilës sheshoi të gjitha pengesat ligjore për rizgjedhjen e tij. Shumë pakistanezë thonë ndërkohë se janë të zhgënjyer me politikën. Musharaf, që u tërhoq nga ushtria në nëntor, ka premtuar që zgjedhjet do të jenë të lira dhe thotë se është i gatshëm të punojë me cilëndo parti që do të formojë qeverinë dhe do të zgjedhë Kryeministrin. Ashtu si aleatët perëndimorë dhe fqinjët e tij, Musharaf thotë se dëshiron një qeveri stabël, e cila të mund të fokusohet në luftën kundër terrorizmit dhe të sjellë rritje ekonomike. Shumë pakistanezë fajësojnë qeverinë për rritjen e çmimeve dhe për mungesën e prosperitetit. Një tjetër faktor vendimtar në zgjedhje, sipas analistëve, do të jetë edhe rritja e mbështetjes së zgjedhësve për partinë e Bhutos.